Sipas ecurisë së deritashme të bisedimeve, kanë mbetur edhe tri – katër pika që presin të harmonizohen para se subjektet më të mëdha parlamentare të miratojnë, eventualisht, deklaratën e përbashkët. Deklarata është thënë se do të përmbajë edhe pika që nuk ndërlidhen vetëm me Demarkacionin, por edhe me aspektet e përgjithshme politike. Ndërkaq ,në lidhje me Demarkacionin, është thënë se ka një harmonizim që të mos procedohet në Kuvend pa një pajtim të përgjithshëm politik.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ka thënë se Demarkacioni me Malin e Zi duhet të përmbyllet sa më shpejt.
Ndonëse nuk është përqendruar në versionin aktual të Marrëveshjes së nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi apo në deklaratën e përbashkët që eventualisht pritet të nënshkruhet, Veseli ka thënë se Kosova nuk guxon që të rrezikojë rrugën e saj integruese evropiane dhe zotimin e saj për marrëdhënie të mira me fqinjët, siç është rasti me Malin e Zi.
“Demarkacioni duhet të kalojë për arsye se është interes strategjik i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nuk duhet të dëmtohet perspektiva e së ardhmes euro-atlantike e Kosovës”.
“Çdo veprim i cili destabilizon apo cenon faktorët e paqes, siç është partneriteti ynë me fqinjë, në këtë rast Republika e Malit të Zi, është cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit tonë”, ka thënë Veseli.
Në anën tjetër, për opozitën, versioni i Marrëveshjes së nënshkruar në fund të gushtit të vitit të kaluar me Podgoricën është i dështuar.
Opozita pret që procesi të kthehet në pikën fillestare, duke korrigjuar, siç thuhet, gabimet që janë bërë në Marrëveshjen e parë, e cila sipas pretendimeve të tyre, i shkakton humbje territoriale prej mbi 8 mijë hektarë tokë, Kosovës.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se me vet faktin që Qeveria nuk e ka proceduar sërish në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit, të cilin e kishte tërhequr në seancën e 1 shtatorit, nënkupton se ai version ka dështuar dhe tani gjërat duhet të kthehen në pikën zero.
“Procedura është ndjekur, por pa asnjë argument është tërheq ligji nga Kuvendi dhe unë nuk e di më pse i njëjti version të vijë në Kuvend”.
“Ne nuk kemi kërkuar debat dhe nuk kërkojmë debat sa i përket kësaj çështje, sepse ne e shohim që ky version është i vdekur”, ka theksuar Lekaj.
Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është nënshkruar në javën e fundit të gushtit të vitit të kaluar në Vjenë nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Podgoricës. Por, kjo marrëveshje më pas u cilësua e papranueshme nga opozita. Ndërkaq, nuk gjeti mbështetjen as të një grupi të deputetëve nga partitë në pushtet, me çka u rrezikua ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend, ngase koalicioni nuk i kishte numrat e nevojshëm.
Zhvillime të tilla patën ngritur edhe tensionet politike në Kosovë. Andaj, nisur nga kjo gjendje, Grupi Ballkanik për Politik kishte ndërmarrë një nismë për t’i ulur në një tavolinë përfaqësuesit e partive politike në pushtet dhe opozitë në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje praktike dhe të pranueshme.
Në këtë drejtim, kjo javë pritet që të jetë mbase vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje politike.






















