Jakup Azemi
Më 04 Nëntor në The Princess Anne Theatre në Londër, u shfaq premiera e filmit Kësulat me autor Jimi Tihovci dhe në regjinë e Alan Trow. Por filmi është bërë i njohur si “filmi i Jimi Tihovcit”, i cili mbas një periudhe të gjatë përpjekjesh arriti të realizoj projektin e tij, në të cilin mori edhe vet pjesë si aktor në rolin e Besnikut, duke realizuar këtë në mënyrë mjaft të suksesshme. Jimi emigroi në Britani të Madhe rreth 20 vjet më parë me ambicie të bëhej aktor, por arriti të realizoj një film para se të njihej si aktor.
Filmi trajton disa tema me motive nga lufta e Kosovës e vitit 1999, e manifestuar me dhunë të shfrenuar nga forcat serbe kundrejt popullsisë civile shqiptare në Kosovë, dhe daljes në skenë të guerrilës kosovare (UCK)-s. Por, këta dy autorë (Tihocvci dhe Trow) e prezantojnë dramën e madhe të Kosovës të vitit 1999 nga një kënd i veçantë, që është edhe përjashtim nga qasja konvencionale që i është bërë deri tani luftës nga autorë kosvarë por edhe observues të politikës. Në qendër të ngjarjes janë dy familje kosovare: njëra është shqiptare dhe tjetra serbe. Por, e veçanta e kësaj trajtese është se autorët kan vendosë një balance morale midis sakrificave të familjes shqiptare me ato të familjes serbe në Kosovë dhe rrjedhimisht edhe fatit të tyre këtyre etnive gjate luftës. Në sfidat për jetë a vdekje, fati i detyron familjet fqinje – shqiptare dhe serbe, të bashkëpunojnë ngushtë mes veti madje deri në atë nivel sa që edhe simbolet e mburrjes nacionale – kësulat (nga edhe filmi e merr emrin Kësulat) i ndërrojnë mes veti si mënyrë për të mbijetuar nga njëra apo pala tjetër.
Si temë të cilin autorët e kanë vendosë në qendër të ngjarjes është atraktive për shikuesin i cili nuk lodhet shumë rreth aspekteve faktike lidhur me tragjedinë kosovare, dhe i cili ngarend pas vlerave artistike. Mirëpo, në një mëtim të tillë del një problem të cilin autorët e këtij filmi, duket pa dashje, e kontradiktojnë në trajtim e sipër të filmit. Për të mbajtur shikuesit në një rrëfim të strukturuar në rrëfimin e ngjarjeve dhe historinë e dramës kosovare, autorët e filmit kanë vendosur të funksionalizojnë ndihmën e disa rrëfyesve origjinal (të gjithë shqiptarë) të cilët u kishin mbijetuar plumbave të forcave serbe. Këto rrëfime autoktone, disi në një mënyrë paradoksale ja humbin vlerën këtij filmi, sepse si i tillë filmi vjen e bëhet si një rrëfim dokumentar. Por, meqenëse këta kanë vendosë të shfrytëzojnë këtë teknikë narracioni, atëherë kjo do të duhej shfrytëzuar në tërësi dhe do duhej sjellë ndonjë rrëfim nga ndonjë rast i cili do ta mbështeste balancën morale (fatin e dy familjeve) që Tihovci the Trow e kanë vendosë në qendër të këtij filmi. Për ndryshe, si e tillë kjo ngjarje përçon një mesazh jo të saktë me atë çfarë në realitet ka ndodhë në Kosovë, pasi faktet nuk flasin për një solidarizimi të familjeve dhe popullsisë serbe me atë te fqinjëve shqiptarë gjate luftës. Do të ishte më e natyrshme që varësisht nga frekuenca e një solidarizimit (të mundshëm) të familjeve serbe me fatin e atyre shqiptare, të cilat fatkeqësisht kanë qenë përherë viktimë, të i bëhej një prezantim këtij fenomeni në këtë shfaqje. Në këtë kontekst, prandaj, disi “tradhtohet” rrëfimi dokumentar i të mbijetuarve nga plumbat serb.
Një mësues Serb dhe një mjek shqiptar janë përfaqësues i kësaj vlere morale. Por, paradoksalisht, këto dy dimensione – edukimi dhe shëndetësia, kanë qenë kryesoret në mbijetesën fizike dhe kulturore e nacionale të shqiptarëve, por të cilat kanë qenë të abuzuara e persekutuara në mënyrën më barbare nga serbët, para dhe gjate luftës. Në Këtë persekutim, popullsia lokale serbe ka pas qenë absolutisht aktive në ekzekutimin e kësaj politike gjenocidale serbe. Sa i përket edukimit – paradoksi tjetër, gjendja është edhe më e dukshme. I gjithë sistemi edukues në Kosovë ka pas qenë de-institucionalizue nga okupimi serb, në të cilin proces serbët lokal të Kosovës, përfshirë mësuesit dhe profesorët, po ashtu kan qenë pjesëmarrës aktiv në segregimin dhe diskriminimin e fëmijëve dhe studentëve shqiptar. Prandaj, mendoj se ky film ka mundur të i bej një trajtim më të drejtë kësaj çështjeje, akoma duke prezantuar vlera artistike, pa pasur nevojë të bëhet një kompromis kaq radikal.
Një aspekt tjetër i filmit është edhe prezenca e UCK-s. Këtu Tihovci ka arritur të trajtoj në mënyrë mjaft të suksesshme prezencën e kësaj force, duke e trajtuar atë si atdhedashëse, impulsive por edhe naive. Një portretizim mjaft konciz! Në këtë kontekst, teknika a narracionit përmes rrëfimit të të mbijetuarve është e mirëseardhur, pasi një film me pak më shumë se një orë, vështirë se do të mundë ta realizonte një gjë të tillë. Prandaj, rrëfimi dokumentar këtu është mjaft i qëlluar. Realizimi teknik i ofensivave serbe, dhe ikja urgjente e popullsisë civile shqiptare është mjaft mirë e realizuar gjë që i shton vlerën këtij filmi. Në mënyrë të ndjeshme, një aspekt tepër tragjik i luftës – dhunimet e femrave shqiptare, janë trajtuar poashtu në këtë film, gjë që ndihmon në ruajtjen e kujtesës shqiptare. Nuk duhet harruar se loja e aktorëve duket të ketë qenë realizuar shumë mire.
Në përgjithësi, filmi është një realizim i suksesshëm i Jimi Tihvcit dhe duhet përgëzuar atë për punën e tij të vetëmohueshme në arritjen e objektivit dhe realizimin e ëndrrës së tij qoftë edhe me sakrifica të mëdha personale.




















