Për këtë ushtri me këto kapacitete, sipas tij nevojiten nga 5 milionë euro të ndahen nga buxheti i Kosovës.
Tanimë është planifikuar gjithçka që të arrihet deri tek këto kapacitete të FSK-së.
“Zhvillimi i FSK-së në Ushtri nuk mund të bëhet për një natë, është e planifikuar saktë se sa zgjatë, andaj çdo vit ndahet nga 5 milionë euro për të rritur zhvillimin e saj. Kjo as nuk e dëmton buxhetin”, ka thënë ai për medie.
Armët e FSK-së të këmbësorisë
Armët ose teknika që do të përdoret do të jenë armë të këmbësorisë dhe do të ketë kapacitet të armëve të rënda si tanke. Ndërkaq, nuk do të ketë aviacion, për shkak të territorit të vogël të Kosovës.
Do të ketë vetëm njësi të helikopterëve por jo aviacion.
“Për fillim mund të blihen 3 ose 6 helikopterë por kjo do të shkojë gradualisht, varësisht edhe buxhetit të FSK-së”.
Ndërkaq, mësohet se do të blihen armë kolektive që tash FSK nuk i ka, po ashtu FSK nuk i ka armët kundër tankeve, armë kundër ajrore, shkruan Gazeta Fjala.
Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie më Publikun në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, ka sqaruar për REL se buxheti i ndarë për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe FSK-në për vitin 2017 është mbi 50 milionë euro.
“Sa i përket bazës buxhetore për transformim të FSK-së, është planifikuar që buxheti i ndarë nga qeveria për FSK-në, për çdo vit të shtohet me nga 5 milionë euro”, ka thënë Shala.
Parashihet që në vitin 2018, buxheti për FSK- në të jetë mbi 57 milionë euro, kurse për vitin 2019, mbi 63 milionë euro.
Qeveria përkrah Presidentin për ushtrinë
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka thyer heshtjen për ushtrinë e Kosovës. Ai ka bërë me dije se do të angazhohet në përmbushjen e të gjitha kushteve për transformimin e FSK-së në Ushtri.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, posa të marrë nga Kuvendi Projektligjin me të cilin propozohet që FSK-së t’i jepet roli i ushtrisë, do ta trajtojë sipas rregullores nga Ministria e FSK-së, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Financave, në mënyrë që ai të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të ketë mbështetje buxhetore”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Projektligji është propozuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, si Komandant Suprem i FSK-së. Për propozimin e këtij Projektligji, Kryeministri është njoftuar nga Presidenti më datë 5 mars, para se ai ta bënte publike këtë iniciativë në fjalimin e tij në Kazermën “Adem Jashari”, me rastin e Epopesë së UÇK-së, shkruan Gazeta Fjala.
Por, zërat kundërshtues nga NATO dhe SHBA kanë ardhur menjëherë pas propozimit të kësaj nisme.
Më datë 14 shkurt 2017, Kryeministri mori letër nga Sekretari i NATO-s, Stoltenberg, në të cilën Sekretari i NATO-s shpreh falënderimet për pritjet gjatë vizitës së tij në Kosovë por edhe qëndrimet e qarta se NATO do të vazhdojë bashkëpunimin me FSK-në vetëm në mandatin ekzistues.
Kosova mos të zmbrapset nga formimi i ushtrisë
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), e ka vlerësuar si hap të duhur nismën e Presidenti Hashim Thaçi, që shndërrimi i FSK-së në ushtri të behet përmes ndryshimit të ligjit për FSK-në.
Po ashtu nga kjo qendër vlerësojnë se edhe nëse ka ndonjë kundërshtim nga faktori ndërkombëtar dhe NATO institucionet nuk duhet zmbrapsur.
Skender Perteshi nga QKSS, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet që sa më shpejt të hartojë ndryshimet ligjore për mandatin e FSK-së.
Ai ka kujtuar se ka shtete që janë anëtare të NATO-s, që mbështesin shndërrimin e FSK-së edhe në këtë formë.
“Përkundër rezistencës qe potencialisht mund te ketë iniciativa e presidentit për ndryshimin aktual te ligjit te FSK nga ana e partnereve ndërkombëtar, kjo nuk duhet assesi te zmbrapse institucionet e shtetit ne jetësimin e kësaj iniciative. Kuvendi duhet shume shpejte te votoj ndryshimet ligjore për ndryshimin e mandatit, misionit dhe kompetencave te FSK-se”, është shprehur Perteshi.
Ai ndër të tjera ka thënë se nisma për ndryshimin të misionit të FSK-së është vullnet i qytetarëve të Kosovës, dhe se Kosova duhet të vendos vet për çështje të brendshme.
“Iniciativa që ka nisë Thaçi është ide që rrjedh dhe ka mbështetjen e qytetarëve të Kosovës. Në barometrin që kemi bërë 90 për qind e qytetarëve e mbështesin formimin e ushtrisë”, ka thënë Perteshi.
Tutje, ai ka treguar se kjo nismë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
Në Kushtetutë në nenin që rregullon Forcën e Sigurisë së Kosovës thuhet qartë që mandati, misioni dhe kompetencat e FSK-së, duhet rregulluar më ligj, pra janë të përcaktuara me ligj”, ka thënë Perteshi.
Ligji për ndryshimin e misionit të FSK-së të cilën parasheh ta bëjë ushtri i është dërguar sot Qeverisë së Kosovës, nga Kuvendi i Kosovës.






















