Daut Dauti
‘Kështjella e Bardhë’ (Beyaz Kale), romani i tretë me radhë i nobelistit Orhan Pamuk, është botuar më 1985. Në shqip është përkthyer dhe botuar në vitin 2008 nga shtëpia botuese Skanderbeg Books.
Narrativa e romanit shprehet në nivele të ndryshme diegjetike duke e pasur pasigurinë në qendër dhe si fuqi shtytëse. Niveli kryesor ndërtohet rreth faktit të ngjashmërisë fizike të dy personazheve që kanë mes veti. Fjala është për venedikasin, i cili zihet rob nga otomanët dhe përfundon si skllav, e më vonë edhe mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor shkencor i profesorit otoman në Stamboll. Që të dy janë shkencëtarë dhe angazhohen në projekte zbuluese shkencore, por autori nuk jep emrat e tyre. Projekti i tyre kryesor është një armë e karakterit fantastik shkencor, dhe si e tillë përfundon me dështim.
Gjatë tërë ngjarjes, dy personazhet angazhohen në një proces të gjatë kohor të zbulimit të karakterit të njeri tjetrit dhe njëkohësisht, duke iu përgjigjur pyetjes ‘kush jam unë’, hyjnë në rrugën e pafund të njohjes së vetes së tyre. Nga zhvillimi i ngjarjes që bëhet nën një imagjinatë mbresëlënëse të autorit, personazhet shpesh paraqiten të unjësuar apo sikur të ishte vetëm një prej tyre.
Shumica e kritikëve të këtij romani kanë bërë me dije se Orhan Pamuk me këtë vepër tenton të paraqes pamjen e dy botërave të atëhershme (shek. XVII) të Lindjes dhe Perëndimit apo Islamit dhe Krishtenizmit. Pra, është periudha kur Perandoria Otomane përjeton kulmin e saj dhe është superfuqi kurse Stambolli qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore. Këtu kemi takimin e një shkenctari venedikas me atë stambollas në kohën kur astrologjia dhe astronomia nuk janë dalluar. Pra, astrologu ka qenë edhe astronom apo shkencëtar dhe fallçor. Në fillim që të dy pretendojnë të jenë shkencëtarë, si çdo i ri, por dikur edhe bëhen, deri diku. Rruga e tyre patjetër që ndeshet me pushtetin dhe shkon nëpër oborrin e pallatit perandorak apo pushtetin e sulltanit. Është koha kur shkencëtari duhet të jetë edhe interpretues i ëndërrave apo shenjave që i dëftohen sulltanit.
Me jetën e tyre të përbashkët që zgjatë më shumë se dy dekada, këto dy personazhe bëhen të padallueshëm edhe nga mentaliteti dhe shprehitë që imponon jeta nën kushte të njejta. Nga një fushatë ushtarake otomane në Poloni, profesori otoman largohet (dezerton) nga kampi dhe shkon në Venedik për të zënë vendin e ish skllavit të tij venedikas. Venedikasi, përkundër dëshirës së vazhdueshme për t’u kthyer në shtëpi, mbetet për të jetuar rehat në Stamboll. Ndoshta autori këtu dëshiron të na tregoj se njerëzit adaptohen me jetën dhe me kalimin e kohës ndjehen kudo komod.Prandaj, ata mund ta zëvendësojnë njëri tjetrin pasi që janë njësoj.
Në fund të romanit, Orhan Pamuk ka bërë një sqarim në lidhje me atë se si e ka shkruar këtë vepër dhe cili ka qenë qëllimi. Ai e ka mohuar atë që është thënë se qëllimi ka qenë që të paraqiten dallimet e dy botërave apo dy kulturave. Pamuk e mohon këtë gjë për arsye se nuk beson në një ndarje të këtillë të njerëzimit. Por, ai nuk mund ta mohoj faktin se dy personazhet, pa marrë parasyshë origjinën, vendbanimin gjerografik dhe kulturor, janë të njejtë, jo vetëm fizikisht, por edhe në aspekte tjera, sidomos nëse merren me punë intelektuale apo shkencore.
Pamuk, më tutje, thekson se pjesa dërmues e romanit bazohet në episode që kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore dhe të cilat janë shënuar në analet e historisë, siç është rasti i ekzekutimit spektakolar të programit të fishekzjarreve në Stamboll me rastin e shënimit të festave të sulltanit apo fitoreve otomane. Madje, ai në roman e përfshinë edhe angazhimin e Evlia Qelebiut, i cili në shënimet e tija ka lënë dëshmi interesante.
Nëse Pamuk pretendon që është bazuar në episode që kanë ndodhur, atëherë duhet bërë me dije se një të tillë ai e injoron. Këtu kemi të bëjmë me rastin e murtajës që e përfshinë Stambollin dhe e cila gjë sot është aktuale në botë me virusin Corona. Askush në Stamboll, pos shkencëtarit venedikas, nuk beson se murtaja është ngjitëse dhe shpërndahet me anë të virusit. Nuk beson as shkencëtari, profesori apo zotëriu i tij. Të gjithë besojnë se murtaja është rezultat i dënimit që vjen nga Zoti dhe vjen në formë të njeriut. Në realitet, në Lindje, që nga shek. XI është ditur që kjo sëmundje është ngjitëse dhe shpërndahet me anë të virusit. Në botën intelektuale otomane, veçanërisht në Stamboll, ka ekzistuar libri mjekësor enciklopedik (Al Kanun), i botuar disa herë pas botimit të parë më 1025, autor i të cilit është Avicenna apo Ibn Sina (980-1037).
Sidoqoftë, kjo nuk është diçka që Pamuk nuk e ka dijtur. Por, romani është imagjinatë dhe kjo gjë është e lejueshme. Përndryshe, nuk do t’i lejohej venedikasit shumë vend për të vepruar në roman.
Në përkthim është përdorur fjala ‘këqyrë’ në vend të asaj ‘shikim’ dhe kjo nuk është shumë e zakonshme në botimet që bëhen në Shqipëri. Megjithatë, me këqyrë, me shiku dhe me pa, nuk është njësoj dhe këtu shpesh nuk ekziston ky dallim. ‘Ishte në humor të mirë’ përdoret përkthimi për rastin ‘ishte në disponim të mirë’. Kjo nuk duhet të pranohet lehtë pasi që humori dhe disponimi nuk janë njësoj. Në anglisht ka kuptim, por jo në shqip.





















