Knidi (Kssidi) Bashari, këshilltari i Ministrisë së Financave, është vënë nën lupën e Byrosë Federale të Hetimit në SHBA, pasi rezulton i implikuar në një megamashtrim kompjuterik dhe mashtrime me transferta elektronike.
41-vjeçari Bashari është gjurmuar prej janarit 2015 nga FBI dhe Seksioni i Krimit Kompjuterik dhe Pronës Intelektuale i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, të cilët kanë zbuluar 5245 veprime elektronike të cilësuara si kriminale, duke infektuar 475.532 adresa IP në 225 shtete, të cilësuara nga FBI si viktima, pasi i kanë sjellë dëme të shumta financiare dhe jo vetëm.
Mes viktimave është dhe vetë kompania prestigjoze “Microsoft”. Këshilltari i ministrisë së Financave, rezulton të ketë hyrë pa autorizuar në rrjetet kompjuterike, duke interceptuar kredencialet e llogarive të përdoruesve të shërbimeve të shumta në rrjet, duke bërë të mundur sulme të grupuara për mohimin e shërbimeve dhe duke krijuar një mekanizëm për infektime të mëtejshme.
Lajmin e bën të ditur Shqiptarja.com.
Sipas kësaj gazete, firma e Basharit ka pasur akses në disa institucione të rëndësishme shtetërore.
Jo vetëm kaq, por firma ka marrë tendera dhe ka ofruar internet për objektet shtetërore në Shqipëri.
Kush është Knidi Bashari- CV zyrtare
Z.Knidi Bashari është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Ka ndjekur programin dy vjeçar të Masterit të Administrimit Publik në programin e përbashkët që Universiteti i Tiranës ka me Universitetin e Nebraskës (USA) dhe mban titulllin Master në Administrim Publik.
Z.Bashari ka një esperiencë disa vjeçare në administratën publike ku ka shërbyer si këshillar i kabinetit të Ministrit të Financave për institucionet ndërkombëtare dhe politikat fiskale.
Për dy vite ka mbajtur funksionin e përfaqësuesit të Republikës së Shqipërisë në Organizatën SECI me seli në Bukuresht Rumani, ku ka kryesuar Taks – Forcën Ballkanike në Qendren SECI.
Për një periudhe të shkurtër ka shërbyer si këshilltar në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, (Albinvest) duke ndihmuar në riorganizimin dhe hartimin e dokumentave strategjike të kesaj agjencie për nxitjen e investimeve të huaja në Shqipëri, me ndihmën e projekteve të asistencës së Bankës Botërore.
Gjithashtu Z. Bashari ka njohuri dhe një esperiencë të gjerë ne menaxhimin e projekteve në fushën e biznesit dhe ka shërbyer si konsulent në realizimin e shumë projekteve brenda dhe jashtë vendit.
Ai zotëron gjuhën angleze, dhe italiane.















