Këshilli i Evropës ka bërë publik raportin e komisionerit të të Drejtave të Njeriut, Nils Muiznieks, i hartuar pas misionit në Kosovë nga 5 deri më 9 shkurt të këtij viti, mision i fokusuar në çështje të drejtësisë, kohezionit social dhe lirinë e medias.
Në pikën Liria e mediave, raporti vëren se me ligje mediat në Kosovë kanë liri të shprehjes dhe të drejtë qasjeje në dokumente publike.
Mirëpo, raporti thekson se institucionet jo gjithherë u lejojnë qasje në dokumente publike gazetarëve, edhe në rastet ku gjykatat vendore kanë dhënë vendime në favor të tyre.
Kështu, raporti i komisionerit Muiznieks përmend rastin e kundërshtimit të Zyrës së Kryeministrit për t’i lejuar qasje Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) për qasje në dokumentet që kanë të bëjnë me shpenzimet e kryeministrit të Kosovës dhe zëvendësve të tij në vizitat jashtë vendit.
“Pas një përballje trevjeçare gjyqësore, në tetor 2015 një gjykatë vendore e urdhëroi Zyrën e Kryeministrit t’i bindet kërkesës. Në bazë të informacioneve që i janë ofruar komisionerit gjatë misionit, aktgjykimi ende nuk është zbatuar”, thuhet në raport.






















