Moska i ka hedhur poshtë thirrjet e SHBA-ve për ta përfunduar sulmin në Alepo, duke thënë se forcat ajrore ruse do ta vazhdojnë mbështetjen për forcat qeveritare të Sirisë, që gjenden atje.
Zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se thirrjet e Shteteve të Bashkuara janë ekvivalente me mbështetjen e terrorizmit.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha sot pas një bisede telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, se Rusia ka “përgjegjësi speciale për ndaljen e dhunës dhe për t’i dhënë rast procesit politik” në Siri.
Zyra e zonjës Merkel ka njoftuar se presidenti Erdogan është pajtuar se “përsëritja evidente e dhunës kundër së drejtës ndërkombëtare humanitare” në Alepo është “e papranueshme” dhe se “armëpushimi është urgjentisht i nevojshëm më tepër se kurrë më parë”.






















