Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri, gjatë vizitës së tij të shkurtër në Kosovë, zhvilloi takime me kryeministrin Mustafa dhe zëvendëskryeministrat Hashim Thaçi dhe Branimir Stojanoviç, në ambientet e aeroportit të Prishtinës, “Adem Jashari”. Gjatë konferencës së përbashkët, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vlerësoi ndihmën e SHBA-ve si për shpalljen e pavarësisë apo edhe për përparimin e vendit nga ana demokratike. “Qeveria dhe Republika e Kosovës e vlerësojnë lart përkrahjen dhe rolin e SHBA-ve për pavarësinë tonë, ashtu si dhe për ngritjen e vlerave demokratike si në vendin tuaj. Po punojmë për zhvillimin ekonomik të vendit, për stabilitet politik, për politika të fqinjësisë së mirë, dhe për Integrimin Evropian.
Po punojmë edhe për integrimin e komuniteteve serbe, sikurse kemi vijuar dialogun me Serbinë. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit ne presin edhe liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian. Përkundër tensioneve të fundit, qeveria mbetet e vendosur të vazhdojë dialogun me Serbinë, ashtu sikurse marrëveshjet që do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese. Jemi të vendosur gjithashtu të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha organet publike”, tha kryeministri Mustafa.
Nga ana e tij sekretari Kerri theksoi se SHBA-të nuk do të mbështesin asnjë marrëveshje që do të cenonte sovranitetin e Kosovës. “Në emër të Presidentit Obama ju përshëndes dhe garantoj angazhimin e SHBA-ve për mbështetje të vazhdueshme ndaj Kosovës. Kemi diskutuar me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrat për një gamë të gjerë çështjesh, nga siguria, te politika dhe ekonomia. Kosova ka bërë progres drejt Integrimit Evropian dhe MSA-ja paraqet një hap të madh. Këto fitore janë rezultat i drejtpërdrejtë i vullnetit të Kosovës për të pasur progres.
Ne duam t’iu sigurojmë se nuk do të këmbëngulnim për asnjë marrëveshje, nëse nuk do të ishte në respektim të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Kemi shembullin tonë me Vietnamin, kemi pasur një luftë me ta dhe tashmë e kemi lënë pas krahëve, për t’i hapur rrugën bashkëpunimit mes nesh”, u shpreh Kerri. Sekretari amerikan i Shtetit u kërkoi palëve në Kosovë që të gjejnë gjuhën e përbashkët. Ai nguloi për themelimin e Gjykatës Speciale, ndërsa theksoi se duhet më shumë nga ana e shtetit të Kosovës për çështjen e ekstremizmit. “Kuvendi nuk është vendi ku mund të frikësohesh prej gazit lotsjellës, të gjitha palët duhet të diskutojnë për të ngushtuar dallimet dhe të gjithë qytetarët të trajtohen njësoj pavarësisht nga opozita apo përkatësia etnike, gjinore.
I kërkoj Kosovës që të themelojë edhe Gjykatën Speciale, për të hetuar akuzat për krime luftë në Kosovë, në mënyrë që të gjitha padrejtësitë të ndëshkohen. SHBA-të do të qëndrojnë me krenari në përkrahjen tuaj dhe do të ndihmojmë edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kemi diskutuar edhe për ekstremizmin e dhunshëm dhe për çështjen e kthimit të luftëtarëve të huaj nga lufta e Sirisë dhe Irakut. Kosova duhet të vijojë përpara, por më shumë duhet të bëhet. Unë vij nga një vizitë në Bruksel, ku të gjithë së bashku në NATO jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të luftuar ISIS-in”, tha Kerri.
















