Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka marrë njoftimin se gazetari i gazetës “Zëri”, Liridon Llapashtica, mbrëmjen e së premtes, është kërcënuar fizikisht nga persona të prezantuar si zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Gazetarit Llapashtica, derisa po kthej në shtëpi, rreth orës 18.30, në rrugën “Sali Nivica” në lagjen Kodra e Diellit, dy persona me një automjet me targa të njohura për policinë, ia kanë bllokuar rrugën duke e fyer dhe kërcënuar lidhur me raportimet e tij si gazetar.
Është tejet shqetësues fakti se muajt e fundit në Kosovë presioni dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë në rritje dhe neglizhenca e autoriteteve të sigurisë në vend karshi veprimeve të tilla paraqet shqetësim serioz për jetën e gazetarëve.
AGK i bënë thirrje autoriteteve të sigurisë në vend që të zhvillojnë hetime serioze lidhur me këtë rast dhe rastet e tjera, të paraqitura nga gazetarët, për krijimin e kushteve të favorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë, thuhet në komunikatën e AGK-së.














