“Çështja e mosharmonizimit të plotë të sistemit të arsimit me tregun e punës nuk është problem i ri dhe as që është problem i vetëm i Kosovës. Unë kam kuptuar se të metat e kësaj disharmonie të trashëguar më së miri i zbulon praktika me të cilën ballafaqohet çdo biznesmen në Kosovë i cili e përjeton më së keqi zhgënjimin e diplomës, e cila si kualifikim profesional është dëshmi e vetme për punësim,” tha Kelmendi.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Odën Ekonomike prezantoi sot projektin ‘Arsimi për Punësim’ që synon krijimin e grupeve punuese me biznese dhe shkolla profesionale për mundësi bashkëpunimi.
Ministri i Arsimit Arsim Bajrami tha se arsimi profesional ka qenë i paragjykuar, ndërsa bëri thirrje për orientim të nxënësve drejt tij.
“Kosova nuk duhet të pretendojë të bëhet një shoqëri elitare, e akademikëve dhe e intelektualëve, por duhet të jetë një shoqëri praktike dhe reale. Duhet të heqim dorë nga një akademizim i tepruar i saj dhe t’i kthehet realitetit që të lidhet plotësisht me ekonominë dhe tregun e punës,” deklaroi Bajrami.
Bajrami edhe më herët në paraqitjet e tij ka thënë se prioritet i ministrisë që drejton është arsimi profesional.






















