KDI u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve politike që të ushtrojnë të drejtat e tyre parlamentare dhe të mos cenojnë të drejtën e asnjërit deputet për të ushtruar mandatin dhe përgjegjësitë kushtetuese për të cilat janë të zgjedhur.
“Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi është një marrëveshje e cila pasi ka kaluar nëpërmes kundërshtimeve dhe argumentimeve “pro dhe kundër”, duhet të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë, qoftë për t’u ratifikuar apo dhe për t’u hedhur poshtë si marrëveshje e pavlefshme. Procedimi i marrëveshjes me procedura të përshpejtuara është i panevojshëm, ndërsa deputetëve e komisioneve duhet t’u lihet kohë e mjaftueshme në dispozicion për të trajtuar me hollësi këtë marrëveshje”, konsideron KDI, sipas të cilës, Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës që vendos për marrëveshjen, dhe se asnjëri deputet ose grup politik nuk ka të drejtë të pengojë vullnetin e asnjërit nga deputet tjerë për të votuar pro apo kundër kësaj marrëveshje.





















