Katër deputetë të rinj të Kuvendit të Shqipërisë, tre nga të cilët gra, u betuan sot në nisje te seancës plenare të radhës, duke zëvendësuar tre ministra të Qeverisë, të dorëhequr pak ditë më parë, si dhe një deputete, e emëruar në post ministror.
Në fillim të procedurës, në emër të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, deputetja Vasilika Hysi paraqiti raportin përkatës sipas të cilit mandati i dhënë nga KQZ-ja për katër deputetët e rinj është plotësisht i ligjëshëm dhe në përputhje me dispozitat e kodit zgjedhor.
Hysi vlerësoi sidomos përfshirjen në parlament të tre grave deputete, numri i të cilave në Kuvend tashme shkon në 23 ose 20 për qind të numrit të të zgjedhurve në parlament.
Më pas deputetët e rinj, Erjeta Alhysa, Ervin Bushati, Luljeta Arapi dhe Anila Agalliu përsëritën tekstin e betimit, sipas rregullores.
Në karriget e kujt u ulën deputetët e rinj?
Ervin Bushati merr mandatin e deputetit në vend të ministrit Saimir Tahirit,
Erjeta Alhysa merr mandatin e deputetit në vend të ministrit Ditmir Bushati
Luljeta Arapi merr mandatin e deputetit në vend të ministrit Damian Gjiknuri
Anila Agalliu merr mandatin e deputetit në vend të ministres Ermonela Felaj
Dorëzimi i mandatit nga ministrat e qeverisë “Rama” bëhet në përmbushje të zotimit politik të mazhorancës për të shmangur funksionet e dyfishta.














