Britania e Madhe më në fund hapi dyert e klubeve të natës! E sigurisht që të rinjtë britanikë e festuan në mënyrën më të “çmendur”, ashtu siç vetëm ata dinë. Nga fotografitë e publikuara nga “The Sun”, vihet re se si njerëzit prisnin në radhë për të hyrë në klub.
Kamera e paparacëve ka hyrë edhe brenda lokaleve, ku të rinjtë kanë mbushur pistën për të kërcyer. Të buzëqeshur dhe të veshur me rroba shumëngjyrëshe, ata festuan më në fund lirinë për të shijuar festat e shthurura deri në orët e vona.
Mediat e huaja shkruajnë se 19 korriku shënon ditën e lirisë, dita ku hiqen masat e marra për frenimin e përhapjes së Covid-19, si distancimi shoqëror, puna nga shtëpia dhe mbajtja e maskave të detyrueshme.
Rihapja e 12 mijë klubeve të natës në gjithë vendin, duket se është pritur me padurim nga të rinjtë dhe jo vetëm. Kjo vihet re nga radhët e gjata që janë krijuar jashtë klubeve që prisnin për të hyrë brenda, si dhe nga pistat e vallëzimit që ishin mbushur plot.

Qindra mijëra britanikë që mbushën 18 vjeç gjatë kohës së pandemisë, u dyndën në klube duke shijuar ditën e tyre të parë të jetës së natës.




























