Në pikën kufitare në Merdar, Policia e Kosovës ka arritur të kapë edhe një person i cili dyshohet të jetë marrë me kontrabandim me emigrantë dhe falsifikim të dokumenteve.
Policia, përmes një njoftimi për media, tregon se ky arrestim ka ndodhur pas një operacioni policor të Rahovecit, ku me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren janë kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme të komunës së Rahovecit.
Policia, gjatë bastisjes ka gjetur dhe ka konfiskuar në cilësi të provave materiale, qindra dokumente të ndryshme, kryesisht serbe, duke përfshirë: pasaporta, letërnjoftime, certifikata të lindjes, të shtetësisë dhe forma të ndryshme të aplikimeve për nxjerrjen e dokumenteve.
“Lidhur me këtë rast rreth orës 07:00 të mëngjesit, në Pikën Kufitare në Merdar është ndaluar dhe njëherësh arrestuar personi i dyshuar H. P., i cili është pronar i njërës prej shtëpive të bastisura. I njëjti dyshohet se në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit material përmes rrugëve ilegale, apo me dokumente të falsifikuara, ka dërguar apo tentuar të dërgojë shtetasit kosovarë drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me këtë rast, sipas Policisë, hetimet janë udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe për këtë ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari i lartcekur ka kryer veprat penale ‘kontrabandim me emigrantë’ dhe ‘falsifikim të dokumenteve’ dhe i njëjti me autorizimin e prokurorit kompetent dërgohet në mbajtje.
















