Në “Staffordshire University” i ka mbaruar studimet e magjistraturës dhe ato të doktoraturës në lëmin e ekonomisë. Kuadrot që janë shkolluar jashtë vendit pas luftës janë cilësuar si “truri i shtetit”.
Dikush është shkolluar me bursa e dikush me vetëfinancim. Por, Hoti del të jetë shkolluar me mbështetje financiare të njërit prej fondeve më të njohura në dy periudha, para dhe pas luftës.
Bëhet fjalë për Fondin 3%, i cili u shua në kohën e çlirimit duke lënë prapa shumë mistere rreth tij, njëjtë sikurse edhe Fondi “Vendlindja Thërret”.
Se shkollimi i bashkëpunëtorit të Isa Mustafës është financuar nga ky Fond e ka thënë veprimtari i kamotshëm i LDK-së në diasporë, që së fundmi ishte deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Bardhyl Meta.
“Pakkush e di se edhe studimet, edhe magjistraturën, edhe doktoraturën, (Hoti v.j) e ka kryer me bursa të diasporës dhe të vet tre përqindëshit”, ka thënë Meta, në një debat televiziv në Klan Kosova.
Por, si u bë përzgjedhja e Hotit, si fitues i bursave nga ky Fond.
Ish- kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, nuk i kujtohet ky emër, ndonëse nuk e përjashton mundësin që ai të ketë përfituar mbështetje nga Fondi.
“Është e vërtetë që kemi ndarë bursa për studentët prej Fondit 3 %. Ka qenë një shumë modeste, sepse s’kemi pas atëherë buxhet të madh. Jemi munduar me i ndihmu edhe studentët. Nuk e di nëse z. Hoti ka përfituar nga ky fond atë kohë, por mund të jetë e vërtetë. Nuk e përjashtoj këtë mundësi”, ka deklaruar Bukoshi për Aktiv Press.
Një konfirmim nga vet Hoti ka qenë i pamundur të merret.
Menaxhuesit e Fondit 3%, apo të Fondit të Bukoshit, në realitet i patën deklaruar 50 milionë marka gjermane të asaj kohe, apo 25 milionë euro të sotme, si para që patën mbetur të pashfrytëzuara deri në kohën e çlirimit.
Për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mjeteve të ndara nga diaspora për këtë fond, është ngritur rast edhe në EULEX.
Në qendër të akuzave vazhdon të jetë vet kryeministri në largim, Isa Mustafa i cili gjatë qeverisjes në ekzil, ka qenë ministër i Financave, ashtu siç është aktualisht Avdullah Hoti në Qeverinë e drejtuar prej tij.
Nezir Fejza, një veprimtar në mërgim kohë më parë ka treguar diaspora ka ngritur aktpadi ndaj Mustafës e Bukoshit për keqpërdorimin të Fondit dhe më 5 mars të vitit 2013 e kanë dorëzuar lëndën në EULEX.
Ai bashkë me Emrush Çekun dhe një grup kontribuesish në ish- Fondin e Republikës së Kosovës në Gjermani kanë kërkuar edhe nga organet financiare në Shqipëri që të japin përgjigje se si janë menaxhuar mjetet e Fondit të trepërqindëshit dhe ato të “Dardania Bankës”.
Lënda u ishte dërguar edhe autoriteteve gjermane, gjë që e shtrinte ne tri shtete hetimin rreth këtij fondi.
Bujar Bukoshi, disa herë ka përëritur përgjatë viteve të fundit se çështja e Fondit është e mbyllur. “Asnjë cent nuk është keqpërdorur”, ka thënë ai në deklarimet e tij.
Fondi ishte krijuar gjatë viteve ‘90 dhe me ato mjete ishin paguar mësimdhënësit dhe aktivitetet politike e më pas edhe ato ushtarake.























