ARBEN MANAJ
Nëse ka një fjalë që do e përmblidhte atë çka po ngjet dhe do të ngjasë në tragjedinë greke të radhës, është fjala papërgjegjshmëri.
E kjo vjen sa prej qasjes diletantekse dhe aventureske që prej fillimit, të radikalëve grekë të Ciprasit, që i përngjan çdo ditë e më shumë “xhihadistit Xhon” të ISIS, aq edhe prej keqqeverisjes politike prej disa dekadash, që prej kohës së rivendosjes së demokracisë në Greqi më 1974-n, nga elita politike greke që ka mashtruar sa ka mundur naivët e euroburokracisë së Brukselit.
Papërgjegjshmëria vjen edhe prej egoizmit të oligarkisë dhe biznesit grek, aq edhe miopisë për të parë tablonë e vërtetë të gjendjes nga kreditorët e huaj apo partnerët, që nuk e di nëse mund të quhen më të atillë.
Papërgjegjshmëria vjen edhe nga qëndrimi i BE-së dhe institucioneve të huaja financiare, që nuk thonë të vërtetën, e para, për pamundësinë faktike të pagimit të mbi 300 miliardë eurove borxhe nga Greqia, por edhe prej frikës së tronditjes që do të pësojë i ashtuquajturi integrim harmonik europian.
Në një veprim, alla Kali i Trojës, Kryeministri grek me referendumin surprizë, të parin në 40 vite në Greqi, po bën blof, por edhe shantazhon tërë komunitetin ndërkombëtar, me pasojat që mund të shkaktojë një dalje greke nga eurozona, duke provuar të kundërtën e shprehjes se, lypsari nuk mund t’i imponohet bamirësit.
Tashmë, askush nga homologët e Ciprasit në kancelaritë europiane, nuk ka dyshim se kanë të bëjnë me një kloun politik, që u duhet të merren me të, për shkak të një papërgjegjshmërie elektorale të një populli të tronditur nga testi me realitetin, pas hedonizmit grek për dekada të tëra me para të taksapaguesve europianë.
Në shenjë të dukshme dështimi të vizionit të tij për daljen nga kriza, që mbetet siç po tregon koha, jo vetëm irreal, por edhe diletant dhe aventuresk, Kryeministri grek e hoqi nga e tija, dhe ua la në prehër grekëve, paaftësinë e tij evidente për t’u marrë vesh me kreditorët ndërkombëtarë.
Kjo paaftësi negocimi dhe diplomacie vjen sa nga stili dhe arroganca e çuditshme e një lypsari, aq edhe nga prepotenca e një populli dhe elite politike qeverisëse, që demokracinë e konsideron me të drejtë, si djepin e saj, e që llogaridhënien dhe kërkesën për kthim borxhi, padrejtësisht e konsideron si humbje të dinjitetit të huamarrësit!
Ky mentalitet i çuditshëm grek nuk është në gjendje të shohë kokëuljen, përveshjen punës e shtrëngimin e rripit, si rrugëdalje nga pusi ku e kanë futur veten, por shlyerjen e dorëzanisë si praktikë fyese të Europës dhe ndaj Europës.
Padyshim që grekët janë goditur nga austeriteti dhe kriza ekonomike, që ata në fakt e kanë peshqesh nga klasa e tyre politike, e cila ia hodhi për vite e dekada Europës, me mashtrimin e tyre par excellence.
Por edhe europianët e tjerë, që po financojnë bailout-in ndërkombëtar të Greqisë, kanë vuajtur dhe kanë shtrënguar rripat e tyre, për të ndihmuar grekët mosmirënjohës, mesa duket.
Edhe unë, e jo vetëm unë (për ta bërë më konkret si shembull këtë që po them), si shtetas europian kam vuajtur nga kriza ekonomike.
E për shkak të kësaj krize, ma mbyllën vendin e punës, kur mbyllën “BBC në shqip”, apo më përgjysmuan, po për shkak të krizës, të ardhurat nga biznesi i përkthimeve, por me gjithë këtë, nuk kishim kohë të protestonim, siç bëjnë grekët ndaj “shantazhuesve ndërkombëtarë”, por të adaptoheshim me realitetet e reja të kapitalizmit, ku preferojmë me dëshirë të jetojmë.
E kur këtë e bëjnë tërë ata europiane të prekur nga kriza greke, përse mos e bëjnë me përulësi grekët, që sërish ndihmohen nga këta europianë ende në krizë, përmes miliardave të dhëna Greqisë nga taksat e tyre nga qeveritë që kanë mbi krye.
Kjo është ajo që i irriton më shumë europianët e tjerë me mentalitetin e retorikën e ardhur nga grekët mosmirënjohës, e cila nuk përngjan fare me intelektin e paraardhësve të tyre të lashtë, që i kanë dhënë aq shumë qytetërimit botëror, përfshi edhe termin dhe fillesat e demokracisë që njohim sot.
Shprehja e Kryeministrit grek për një “Jo emfatike” në referendum, nuk ka sesi të mos shihet si një referencë historike ndaj qëndrimit të autoriteteve greke, kur deklaruan me Jo ultimatumin e dhënë nga ushtria fashiste italiane që kërkonin pushtimin e territorit grek më 1940-n.
E një nga dy festat kombëtare të Greqisë, 28 tetori, cilësohet si “Dita e Jo-së”.
Por kohët nuk janë të njëjta. Retorika pangreke me nazistë gjermanë etj., kur i drejtohen Merkelit, është skandaloze dhe infantile, pa përjashtuar mosmirënjohëse ndaj një Gjermanie që i detyrohen 90 e ca miliardë euro e Italisë rreth 40 miliardë borxhe.
Për më tepër, trockisti Cipras nuk mund të shpresojë ngadhënjim, si në kohën e Luftës së Dytë Botërore me partizanllëk allamajtist, duke bashkuar votat në parlamentin grek me ekstremistët e djathtë deri neonazist grek, me referencat e tij, pasi Putini i post-Luftës së Ftohtë, tashmë të nxehur disi, nuk është Stalini i viteve 40 të shekullit të kaluar, të partizanëve grekë, pa folur për gjeopolitikën që është kryekëput aspak analoge.
Greqia ka vetëm një shans, edhe pse disi të largët, për mbijetesë në eurozonë; dhe kjo është një Po në referendum, nëse instinkti i mbijetesës do të prevalojë ndaj alogjikës populiste të inspiruar nga një Kryeministër e parti politike, aksident historik, me një mungesë të frikshme eksperience politike e diplomatike në marrëdhëniet me partnerët e vet ndërkombëtarë.
Praktikisht, Greqia po i përngjan një balone letre që fluturon nëpër stuhi.
Jo-ja, kurrë nuk ka nënkuptuar Po. Një Jo në referendum ndaj marrëveshjes së ofruar Athinës nga kreditorët ndërkombëtarë të inatosur edhe publikisht, me radikalët e majtë grekë, nuk mund të jetë një Po ndaj qëndrimit në BE dhe eurozonë të Greqisë.
Fatkeqësisht kanceri, si ai grek, nuk është shëruar kurrë me aspirina, qoftë edhe gjermane.
Çfarëdo asistencë-morfinë që kreditorët ndërkombëtarë dhe Europa mund t’i japë Greqisë, do t’i mundësojë asaj vetëm mbajtjen e hundës një gisht mbi nivelin e ujit për të marr frymë, e jo më shumë, në një det të trazuar ku mund të mbytesh edhe me një pikë ujë; për më tepër kur i rrezikuari, noton në drejtim të kundërt me bregun, duke refuzuar salvaxhenten.
















