Largimi i trajnerit Igor Tudor dhe zëvendësimi i tij me serbin Vladimir Ivic duket se do të ndryshojë sezonin e Ergys Kaçes te PAOK-u.
Ndryshe nga tekniku paraardhës, Ivic ia bëri të qartë mesfushorit shqiptar se beson te aftësitë e tij, duke e aktivizuar titullar në transfertën e javës së fundit kundër Panetolikos ku ekipi nga Selaniku triumfoi me rezultatin 3-0.
Sipas faqes “Sport24.Gr”, strategjia e Ivic ndryshon diametralisht me atë të Tudor, përsa i përket aktivizimit të mesfushorit kuqezi.
Përpara ndeshjes së fundit, Kaçe kishte hyrë nga stoli në 5 sfidat e fundit por 90 minutëshi i plotë në transfertën e Panetolikos ishte një sinjal i qartë se tashmë ai mund të rikthehet të marrë në dorë frenat e mesfushës.
Në deklaratën e bërë pas ndeshjes, vetë trajneri serb u shpreh se Kaçe është një lojtar shumë i rëndësishëm për PAOK-un, duke vënë në dukje edhe paraqitjen e tij në fushën e lojës ku arriti të shfaqej në lartësinë e duhur. Deklarata e trajnerit dhe synimi i tij për ta rikthyer 22-vjeçarin shqiptar titullar vjen në një moment kyç të sezonit.
Talenti i lindur në Korçë ka nevojë për sa më shumë minuta kur duhen edhe rreth 3 muaj nga fillimi i europianit dhe trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi mund të fërkojë duart pasi alternativat e tij për një mesfushë cilësore, rriten edhe më shumë.
SuperSport















