Ai ka kërkuar nga liderët politikë të Kosovës që vendosjen e njerëzve nëpër poste ta bëjnë sipas meritave dhe jo sipas lidhjeve të tyre.
Në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ministri britanik ka thënë se një student i mirë që punon shumë, duhet të gjejë një vend pune dhe të mos lihet anash nga një student më i dobët që ka lidhje më të mira
“Njerëzit kanë të drejtë që të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e zgjedhur, ju duhet të flisni me ata dhe të dëgjoni shqetësimet e tyre. Vendosja e njerëzve sipas meritës, do të thotë se nëse jeni student dhe punoni shumë duhet të gjeni një vend pune dhe nuk do të shtyheni anash me bërryla nga një kandidat i dobët që ka lidhje më të mira sesa ju. Ne mbështesim krijimin e vendeve të punës dhe jam i zhgënjyer që nuk ka lëvizje për këtë gjë sepse unë doja të isha në qendrën e skijimit në Brezovicë dhe të dilja në pistë”, ka thënë Johnson.
Ish-prefekti i Londrës, ka thënë se Britania e Madhe dhe Kosova kanë sfida të përbashkëta. Sipas tij, Kosova duhet të luftojë terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm, korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Ne së bashku duhet t’i luftojmë këto”, ka thënë veç të tjerash Johnson.
Johnson ka folur edhe për shqiptarët në vendin e tij. Ai ka thënë se Britania ka probleme me mafiozët shqiptarë.
“Kemi problem të veçantë me bandat kriminale të shqiptarëve dhe duhet të luftojmë ta mposhtim këtë sëmundje”, ka deklaruar Johnson.
Johnson ka shrehur ngushëllime familjes Dehari për vdekjen e djalit të tyre, Astritit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
“Ngushëllime familjes për Astrit Deharin. Ju ftoj që të ketë një hetim të pavarur”, ka deklaruar Johnson.
Johnson më tej ka folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku tha se duhet të ketë normalizim marrëdhëniesh.
“Unë e kuptoj se e kaluara është plotë me dhimbje dhe vuajtje dhe nuk pritet të largohen lehtë, por kërkohet kurajo politike dhe nuk kam dyshim që mund të arrihet”, ka deklaruar britaniku.
“Fajtorët në të dy anët duhet të ndëshkohen dhe këtu ka rëndësi bashkpunimi për Gjykatën Speciale”.
Ai tha se duhet të ketë një tentativë të sinqertë për t’i zgjidhur problemet e të kaluarës dhe për këtë Kosova do ta ketë mbështetjen e Britanisë dhe partnerëve tjerë.
“Është e mrekullueshme që ta shoh Prishtinën sot nga një qytet të shkatrruar e me xhama të thyer të ndërtuar e më shumë restorane. Ju keni një të ardhme te ndritur dhe dua t’iu siguroj se keni miq dhe përkras në Mbretrin e Bashkuar”.























