Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, nuk do të ketë takim me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Kjo do të jetë hera e parë që një Sekretar Amerikan Shteti i cili viziton Shqipërinë, nuk takohet me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë. Vetë Ilir Meta, në një intervistë me Ylli Rakipin në Oraneës, e konfirmoi një gjë të tillë, por e relativizoi duke e quajtur normale që në axhendën e Sekretarit të Shtetit të mos ishte parashikuar një takim me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë.
“Nuk është lajm nëse unë do të takohesha apo jo me Sekretarin e Shtetit, për arsye se nuk është Kryetari i Kongresit të SHBA”, tha Meta, i cili më pas ka shigjetuar mediat që herë pas here kanë folur për një izolim të tij nga faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë. “Unë kam dëgjuar nga ata analistë që keni aq për zemër, që Kancelarja Merkel erdhi në Shqipëri, sepse nuk donte të takohej me zotin Meta. Ndërkohë pas Shqipërisë shkoi në Beograd, ku qëndroi më gjatë dhe nuk u takua me kryetarin e Parlamentit të Serbisë, sepse është mëse normale. Lajm do të ishte nëse Kryetari i Parlamentit të Gjermanisë vjen në Shqipëri deh nuk takohet me zotin Meta”, komentoi Meta. Madje ai kërkoi që “provincializma të tilla, jo vetëm në politikë, por edhe në gazetari dhe në media duhet të marrin fund”.
Në këtë mënyrë e ka kaluar kryetari i Kuvendit faktin që John Kerry nuk do të takohet me të, ndonëse burime konfidenciale thanë se ai ka pritur shumë që një takim i tillë të kryhej. Të njëjtin relativizim të këtij fakti kanë bërë edhe disa media e analistë, të cilët pak a shumë e kanë komentuar këtë mungesë takimi me fjalët e kreut të Kuvendit.
John Kerry mbërrin të dielën në Tiranë dhe nuk do të ketë një fjalë të tij në Kuvendin e Shqipërisë. Axhenda tre orëshe e sekretarit të Shtetit John Kerry nis në orën 09.00 me një takim në Rinas me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Më pas Sekretari Amerikan i Shtetit do të pritet në kryeministri nga kryeministri Edi Rama si edhe do të ketë një takim me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Në përfundim të takimit do të ketë edhe një deklaratë për shtyp.
Më pas axhenda e Kerryt do të vazhdojë edhe me një takim në Hotel Rogner me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga katër deputetë të opozitës.
















