Qytetarët serbë nga katër komunat veriore të Kosovës në fillim të vitit 2012 kishin dalë në referendum për t’u deklaruar “se a i pranojnë institucionet e ashtuquajtura të Republikës së Kosovës”.
Edhe pse patën votuar mbi 75 për qind e votuesve të regjistruar dhe 99 për qind votuan “se nuk i pranojnë institucionet kosovare”, ky referendum nuk pati asnjë ndikim. Bile, këtë referendum nuk e njohu as Beogradi zyrtar, e lërë më bashkësia ndërkombëtare.
As referendumin e djeshëm në Republikën Serbe të Bosnjës nuk e ka njohur bashkësia ndërkombëtare, e as Beogradi vet.
Në referendumin e së dielës, serbët e Bosnjës kanë votuar me shumicë dërrmuese për të shënuar 9 janarin si festë kombëtare.
Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar këtë datë si diskriminuese për myslimanët dhe kroatët e rajonit, pasi më 9 janar të vitit 1992, serbët kanë shpallur krijimin e shtetit të tyre brenda Bosnjës, duke nxitur konflikt etnik.
Bosnja vazhdon të jetë e ndarë në dy entitete: Republika Sërpska dhe Federata Myslimane-Kroate.























