Vizita pesëditore e prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla drejt Shteteve të Bashkuara duket se nuk do të mund të jetë më një ngjarje e zakonshme, pasi gjatë aplikimeve nga grupi, një prokurori të rëndësishëm i është refuzuar viza amerikane.
Përpos emrave të delegacionit shoqërues, mes të cilëve kreun e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj; kryeprokruorin e Tiranës, Petrit Fusha; dhe shefen e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Rovena Gashi; Me ta nuk ka udhëtuar të djelën kryeprokurori i Durrësit Agron Gjana.
Zyra e shtypit nuk kishte njoftuar se cila është axhenda e kreut të akuzës në Amerikë. Disa media lajmëruan për takime të zotit Llalla me zyrtarë të lartë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimit, apo agjencive të tjera ligjzbatuese.
Një burim zyrtar amerikan ka thënë se zoti Llalla nuk ka patur takime me zyrtarë të lartë të FBI-së, ose të Administratës Ligjzbatuese të Antidrogës, DEA.
Por në këtë informim për vizitën, burimi i lartë amerikan shtoi se procesi i refuzimit të vizave për zyrtarë të korruptuar është aplikuar jo vetëm ndaj gjykatësve, por edhe prokurorëve gjithashtu dhe vazhdon të aplikohet.
Mes emrave të diskutuar për të udhëtuar drejt Amerikës ishte edhe kryeprokurori i Durrësit, Agron Gjana, shtoi dyshime të mëdha.
I pyetur nga Top Channel në telefon, prokurori Gjana nëse kishte aplikuar për vizë, ai deklaroi se, “ndodhej në Shqipëri dhe se nuk kishte aplikuar për vizë”.
Gjithashtu, Top Channel i drejtoi edhe Zyrës Konsullore të ambasadës pyetjen nëse kryeprokurorit të Durrësit i ishte refuzuar viza për të udhëtuar në delegacionin zyrtar, e cila u përgjigj se: “Ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk diskuton asnjëherë raste individuale vizash”.
Por ndërkohë, sipas burimeve jozyrtare nga prokuroria, se prokurori Gjana kishte aplikuar për vizë, por nuk ka udhëtuar të djelën me pjesën tjetër të delegacionit, duke mbuluar me mister se përse kryeprokurori i Durrësit nuk udhëtoi drejt Amerikës së bashku me shefin e tij, Llalla. Edhe prokurori Llalla nuk ka dhënë shpjegime për këtë rast.















