Nga Fatos Salliu
“Ka lindur me këmishë”. Kështu thotë babai i Armando Sadikut. Në një intervistë të pazakontë për “Shekullin”, babai i Armando Sadikut, Durim Sadiku tregon emocionet e golit të shënuar nga i biri, ankthin, rastet për gol, besimi që ka, cilësitë e tij, përkushtimin dhe stërvitjen e palodhur, si lindi me këmishë, si flinte me topin tek koka, si premtoi kur veshi fanellën e Kombëtares dhe premtimi për ta dërguar Shqipërinë në europian dhe botëror, pikat e forta dhe të dobëta, lidhjen me familjen dhe objektivat për të ardhmen.
-Z. Durim, si babai i Armando Sadikut, si prind si e përjetuat këtë çast?
Ky ka qenë një nga përjetimet më të mëdha që familja përjetoi kur djali shënoi. Jo vetëm ne, por gjithë shqiptarët, me një gëzim të paparë e prisnim këtë çast. E prisnim që me Zvicrën. Por edhi në një moment deçiziv gjithsesi.
-Në dy ndeshjet e para u mërzitët pse nuk po shënonte djali?
Të them të drejtën po. Por, kur shohim raste që i humbin lojtarë të mëdhenj si Ronaldo, sërish janë të justifikueshme raste të tilla. Ata janë lojtarë me vlera qindra milionëshe, kanë kalibër të lartë, e prapë bëjnë gabime. Kush nuk do. Kështu që si djali im, ashtu edhe Gashi, kanë pasur dëshirë të madhe që të shënonin që të çonin në peshë zemrat e të gjithëve ashtu siç ndodhi një natë më parë.
-Keni folur me të?
Po. Mbrëmë. Por folëm pak. Ata kishin planifikuar një festë, por trajneri i kishte thënë: Me këmbë në tokë. Duhet të presim rezultatin e ndeshjeve të tjera e pastaj të festojmë. Çunat ikën në hotel. Takuan familjarët. Ishte djali im, bashkë me dhëndrin.
-Goli?
Goli ka ardhur si rezultat i një pune të madhe dhe përkushtimi. I impenjimit të lojtarëve në fushë nga portieri deri tek sulmuesi po ashtu gjithë stafi deri në prapavijë.
-Në një moment pamë Armandon tek u luste në Allah. A është besimtar? Mos goli ishte dhuratë e lutjes?
Djali im është besimtar. Ai beson. Por nuk dua të futem në preferencat e tij fetare. Por sporti është edhe fat.
-Ju jeni prind i tij. Çfarë mbani mend cila ka qenë dëshira e tij më e madhe?
Djali im kur ishte i vogël më tha: Babi unë do vesh uniformën e kombëtares. Unë si prind, por edhe si trajner i tij, nuk e kam çuar nëpër mend se ai do arrinte këtu. Por vetë ëndrrat e tij, këmbëngulja, stërvitja e rreptë bënë që të arrijë atë që dëshiroi. Mbaj mend kur e kam dërguar në Durrës, me lot ndër sy më tha: Babi unë e vesha uniformën e kombëtares dhe kur arriti më U17, U19 më ka thënë se unë do ta dërgoj Shqipërinë ose në Europë ose në Kupën e Botës dhe se goli im do të jetë vendimtar. Dhe kjo u arrit. Po ju rrëfej të fshehtën më të madhe të jetës së tij: Djali im ka lindur më këmishë. Nuk ja kemi treguar askujt. Tani ndoshta është momenti. Kështu që Zoti dhe fati ja shpërbleu atij këtë ëndërr. Ai flinte me topin dhe këpucët tek koka.
-Armando pret ndonjë ekip të mirë, ka objektiva të tjera?
Djali ka pasur oferta para se të niste Europiani. Ai ka një menaxher të shkëlqyer zviceran. Ka pasur oferta si në Superligën zvicerane por edhe në Gjermani edhe në Angli. Por ai do të jetë i matur dhe ai është profesionist, nuk i ndërhyj. Dëshiroj të më marrë mendim. Por në fund të vendosë vetë.
-Ka raste për Premierligën, La ligën, Bundesligën, Serina A etj?
Ai natyrisht që ka dëshirë të madhe të luajë në këto liga. Ai natyrisht që ka dëshirë të madhe të luajë edhe me Realin. Por qëllimi është që atje ku të shkojë të jetë litër e të luajë futboll. Duhet të shtrijë këmbët sa ka jorganin themi ne.
-Si mendon cila është pika më e fortë e djalit tënd?
Është shpirti. Si ta them. Ai jep shpirtin për futbollin. Edhe kur fola para ndeshjes me Rumaninë më tha se ende se kishte të sigurtë për në formacion. Dhe kur e pamë sërish na kapën më shumë emocione se prisnim golin e ëndërruar..
-Po si pikë të dobët cilën veçoni nga djali juaj?
E dini kush është? Intervistat kur e marrin me fol. Më ngjan mua në këtë drejtim. Edhe unë nuk kam shumë dëshirë. Por para familjes ai nuk vë njeri. Pa fol me ne, pa na dëgjuar zërin nuk rri dot.
-Ke ndonjë mesazh për djalin?
Ishallah të shënojë sërish. Do Zoti kualifikohem me ndihmën edhe të grupeve tjera.
-Do të kthehet pas Europianit në shtëpi?
Po do të vijë. Do vijë sepse kemi një gëzim familjar. Kam edhe dasmën e vajzës dhe është e padiskutueshme që do të vijë.
-Ke ndonjë gjë të fundit?
Ju falënderoj të gjithëve. Gjithë shqiptarët kudo janë, tifozët në Francë, kosovarët, gjithë ata që mbështesin atë dhe ekipin Kombëtar sepse ata janë motivi i tij i madh. Faleminderit!
Qeveria shqiptare ka vendosur të shpërblejë kombëtaren. Shuma që do t’i shpërndahet lojtarëve është plot 1 milion euro, aq sa edhe federata merr nga UEFA për fitoren e marrë.
Komisioni i Disiplinës i UEFA-s ka hapur një procedim disiplinor ndaj FSHF-së edhe për ndeshjen kundër Rumanisë. Akuza është për ndezjen e fishekzjarrëve, hedhjen e objekteve të forta si dhe pushtimin e fushës nga persona të paautorizuar të cilët dëshironin të festonin me kuqezinjtë në fund të takimit.















