Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka kërkuar nga SHBA-të, BE-ja, NATO-ja dhe Turqia që të dënojnë dhe ta hedhin poshtë platformën e partive shqiptare, për shkak të, siç ka thënë, “përmbajtjes së saj të rrezikshme për shtetin maqedon”.
Në një letër dërguar Presidentit amerikan, Donald Trump, Kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg dhe Presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka shkryar se dënimi i kësaj platforme është, siç ka thënë “mënyra më e mirë për kapërcimin e krizës politike”.
“Vlerësoj se dënimi dhe hedhja poshtë e këtij dokumenti është mënyra e vetme për dalje nga kriza pa rrugëdalje në të cilën ndodhemi. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë qëllimet e Marrëveshjes së Përzhinës, para se gjithash reformat prioritare, stabilizimin politik, uljen e tensionet e ndëretnike dhe ndërpartiake në Maqedoni dhe kthimin e shtetit në rrugën e integrimit euroatlantik”, ka shkruar Ivanov.
Platforma e përbashkët e partive politike shqiptare, veç tjerash, parasheh rregullimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në gjithë territorin e Maqedonisë dhe në të gjitha nivelet e pushtetit. Por, Ivanov e quan atë si platformë që rrezikon sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë.
“Platforma është një dokument paszgjedhor, i arritur në shtet të huaj, në kabinetin e një kryeministri të huaj. Më këtë platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e vendosur Maqedoninë në pozitën e varshmërisë nga një shtet tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë me të cilën rrezikohet karakteri unitar i shtetit. Platforma rrënon Marrëveshjen e Ohrit, e cila rregullon marrëdhëniet mes bashkësive etnike me Maqedoninë”, ka shkruar Ivanov.
Ai ka kërkuar gjithashtu dënimin e, siç ka thënë, “përzierjes në punët e brendshme të Maqedonisë të dy shpeteve fqinje”, që nënkupton Shqipërinë dhe Kosovën.
“Pres që të dënoni përzierjen flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë të dy shteteve fqinje të Maqedonisë, aspirantë për anëtarësim në BE. Pres që më në fund të dërgoni mesazh të fuqishëm për paprekshmërinë e kufijve të Ballkanit dhe të riafirmoni perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit”, ka thënë Ivanov, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Letra e Ivanovit vjen pas mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, në Bruksel, të cilët kanë shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në Maqedoni.
Shefja e diplomacisë Federca Mogherin ka bërë thirrje për shfrytëzimin e të gjitha instrumenteve për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni, e cila, siç ka thënë ajo, “mund të shndërrohet në krizë ndëretnike”.






















