Kryepolicët italianë, në “gjah” për refugjatët. Bisedat me Çakon dhe plani për patrullimin e kufijve detarë dhe ajrorë
Mariglen Mullai
Ecejaket e kryepolicëve shqiptarë në Itali dhe anasjelltas duket se përfunduan dje kur delegacioni policor italian vendosi të “blindojë” dy pikat e saj strategjike në Shqipëri, Vlorën dhe Durrësin. Lajmi i marrëveshjes mes liderëve europianë për mbylljen e rrugës ballkanike për emigrantët, ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Italisë, e cila po merr rol udhëheqës në përballimin e krizës dhe po përpiqet të shmangë flukset e gomoneve apo anijeve me emigrantë të nisur nga Shqipëria. Bazat e Guardia di Finanza-s në qytetet bregdetare u rivizituan dje nga shefat e tyre, që më parë zhvilluan një takim në Tiranë me drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako. Flota e anijeve dhe mjetet fluturuese, në kuadër të NATO-s, të instaluara prej vitesh në këto dy baza, tashmë mbeten në gatishmëri për “gjah skafistësh”. Risia e takimit të djeshëm në Tiranë ishte prezenca e shefit të Interforcës italiane, çka përkthehet automatikisht në një “superblindim” të kufijve shqiptarë. Vetë FRONTEX (agjencia europiane e kufijve) njoftoi dje zyrtarisht se nënshkroi me NATO-n një marrëveshje për patrulla të përbashkëta në detin Egje, në kuadrin e operacionit “Poseidoni i shpejtë”. Aty ndodhen 14 anije dhe 2 helikopterë, teksa 739 oficerë monitorojnë kufijtë.
Çako dhe italianët
Policia e Shtetit njoftoi dje zyrtarisht se Haki Çako priti në takim një delegacion të lartë të Guardia di Finanza të kryesuar nga Stefano Screpanti. Përveç dy oficerëve të lartë që e shoqëronin, në takim ishte edhe drejtori i Interforcës në Shqipëri, Michele Grillo. “Qëllimi i takimit ishte konfirmimi i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy shërbimeve policore dhe shprehja e gatishmërisë së palës italiane për fuqizimin e kontingjentit italian të Guardia di Finanza, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike. Delegacioni do të inspektojë kontingjentin e Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë, që operon në Shqipëri prej disa vitesh”, njoftonte zyrtarisht policia. Sipas policisë shqiptare, veprimtaritë në fushën e mbuluar nga Guardia di Finanza, duke përfshirë veprimtarinë e përbashkët në hapësirën detare, por edhe në misionet e përbashkëta ajrore si monitorimi i territorit me avionë të posaçëm, janë shprehje e bashkëpunimit. Në njoftim thuhej se “Nga ana e palës italiane u shpreh gatishmëria për një përforcim të kontingjentit prezent në Shqipëri në shenjë të forcimit të aktiviteteve të përbashkëta për parandalimin dhe goditjen e fenomeneve të paligjshme”. Vetë Çako ka thënë se “Konkretisht, shkëmbimi në kohë reale i informacionit ndërmjet dy vendeve dhe shkalla e operativitetit është mjaft e lartë dhe këtë nivel jo vetëm që do ta ruajmë, por do ta rrisim akoma më shumë”. Delegacioni i Guardia di Finanza do të vijojë vizitat inspektuese në kontingjentin e saj në Durrës dhe Vlorë.
Frika nga skafistët
Prej të paktën 3 muajsh, Italia i ka dhënë sinjalet që i frikësohet valës së refugjatëve, që pas mbërritjes në Shqipëri nga Greqia, do të niseshin drejt bregdetit italian. Ardhja e vetë ministrit të Brendshëm, Angelino Alfano, në Tiranë dhe thirrja në Romë e kryepolicit shqiptar, Haki Çako, apo vizita e fundit e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri atje, ishin sinjalet e para që përpos luftës ndaj ekstremizmit fetar, në tavolinë të hidhej edhe teza e bllokimit të mbërritjes së refugjatëve në Shqipëri. “Il Giornale” shkruante se Sandro Gozi, nënsekretari i qeverisë italiane për çështjet europiane, ka pasur takime me Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Parlamentit, Meta, lidhur me çështjen e refugjatëve dhe frikën e qeverisë italiane se një rrugë e tyre përmes Shqipërisë do të printe refugjatët në Itali përmes detit Adriatik. Italia ka marrë përsipër të patrullojë në det si pjesë e operacionit “Triton” dhe do të sigurojë mjete të tjera për të kontrolluar kufijtë qoftë në jug me Greqinë e qoftë në det. Prokurori i Leçes, Cataldo Motta, siguroi pak ditë më parë se lëvizjet drejt Pulias janë shumë të kufizuara, por gjithashtu pranoi se pas maleve shqiptare janë 25 mijë refugjatë, gati për të shkuar drejt Italisë. Marrëveshjet ajrore-detare me shqiptarët dhe madje shenjat nisin nga 1925-a, kur nën mbretërinë e Zogut zhvilluan stërvitjen në Korçë, nën kodin “Roja di Kufinit”. Nga viti 1997, misioni Interforcë vepron në Shqipëri, ku patrullat e përbashkëta detaro-ajrore angazhojnë mbi një mijë efektivë në të dyja shtetet. Qershorin e vitit 2013, u firmos marrëveshja e përbashkët e monitorimit detaro-ajror dhe vitet e fundit janë fotografuar mijëra plantacione hashashi në Shqipëri. shqip















