Genova – Mbrëmjen e djeshme në sheshin Caricamento është ndjekur dhe arrestuar nga policia Enver Sefa, një shqiptar i lindur në 1976-ën, i pastrehë, pa leje qëndrimi, i dyshuar për tentativë vrasjeje, dhunë seksuale dhe krim ndaj jetës, shkruajnë mediat italiane, transmeton Syri.net.
Për të, nga hetimet janë grumbulluar prova serioze lidhur me një grabitje të dhunshme që ka ndodhur mbrëmjen e 3 korrikut të kaluar në Quinto, ndaj një gjenovezi 40-vjeçar.
Në këtë rast, Sefa e kishte sulmuar viktimën sapo kishte zbritur nga autobusi për të shkuar në shtëpi dhe i ka shkaktuar dëmtime të forta të daulles së veshit.
Burrit i ishin grabitur 200 euro nga grabitësi që ishte zhdukur menjëherë në këmbë në drejtim të rrugës Majorana.
Përshkrimet e hollësishme të siguruara nga viktima, në veçanti tregonin se agresorit “i mungonte një dhëmb dhe kishte një shenjë të dukshme mbi buzë”, që ka çuar në identifikimin e tij nga oficerët e policisë që e njihnin.
Hetimet janë në vijim për të përcaktuar përgjegjësinë e Sefës edhe për ngjarje të tjera të ngjashme, si ajo në qëndrën historike të Genova./Syri.net














