Pas përhapjes së lajmeve të rreme se teknologjia ka lidhje me përhapjen e coronavirusit, një grup i personave të panjohur në Britani të Madhe i kanë vënë flakën disa trafostacioneve të rrjetit mobil 5G.
Javën e kaluar kishin filluar të qarkullojnë teori të ndryshme konspirative, se antenat që bëjnë shpërndarjen e valëve mund të shkaktojnë përhapjen e COVID-19, e kjo ka bërë që disa persona t’i vënë flakën trafostacioneve të 5G.
E gjitha filloi kur në një video e publikuar gjatë muajit të kaluar, kinse e filmuar brenda një konference për shëndetësi që është mbajtur në SHBA, është thënë se Afrika është prekur më së paku nga kjo sëmundje për faktin se ky rajon nuk mbulohet nga rrjeti 5G.
Mjaftoi kaq, që vandalët në Birmingham, Liverpool dhe Merseyside të Anglisë t’i vënë flakën trafostacioneve. Kjo ka bërë që zëdhënësi i Vodafone të deklarohet, duke thënë se prej atëherë edhe katër trafostacione tjera janë djegur, përfshirë edhe atë që e kishte në pronësi 02.
Në anën tjetër Sekretari i Kulturës në Britani të Madhe, Oliver Dowden, ka njoftuar se planifikon të mbajë një video-konferencë me kompanitë e teknologjisë informative gjatë javës së ardhshme. Ndërkaq ministri britanik Michael Gove, ka përgënjeshtruar teoritë duke i cilësuar si “të rrezikshme dhe të pakuptimta” që rrjeti 5G ndikon në përhapjen e virusit.



















