Kështu vlerëson ish-rektori i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu.
Në intervistën dhënë, Zejnullahu kërkon që politika të qëndrojë larg arsimit.
“Kosova i ka kapacitetet ta ndryshojë këtë gjendje, por duhen larguar nga arsimi politika dhe shërbimet e fshehta të saj”, thotë Zejnullahu, i cili thotë se testi i PISA-s ka qenë i pritshëm.
Si mësimdhënës, si i përjetuat rezultatet e testit PISA?
Zejnullahu: Si mësimdhënës nuk e arsyetoj një reagim të përmasave të një tronditjeje për një rezultat testi që reflekton realisht gjendjen në arsimin e Kosovës. Këtë gjendje e kemi ditur, rezultatin e kemi pritur dhe për këtë kemi kontribuuar të gjithë, qoftë me veprim apo me mosveprim. Sikur ende nuk e kemi të qartë se në përgjithësi arsimi në Kosovë e brenda tij, edhe ne mësimdhënësit, jemi futur në rrugën e vetnënshtrimit nga e keqja. Nga kjo rrugë nuk dilet me reagime histerike e duke qëndruar në paqe me të keqen, e cila u ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për përfitime joligjore të gjithëve që kanë “fuqi” e pafytyrësi. Rezultati pastaj nuk duhet të na befasojë.























