Gara “Kangaroo” përbëhet nga një test i matematikës për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar (sipas moshave). Gara “Kangaroo” organizohet në të njëjtën ditë në mbarë botën dhe në të marrin pjesë për çdo vit rreth 6 milionë nxënës nga mbi 70 shtete të ndryshme të botës. Të interesuarit për më shumë detaje mund ta vizitojnë faqen zyrtare të AKSF-së në internet: www.aksf.org.
Duke filluar nga viti 2017 Instituti ATOMI do ta organizojë për çdo vit garën e matematikës “Kangaroo” edhe në Kosovë, në mënyrë që përmes këtij aktiviteti të promovohet matematika dhe rëndësia e saj në Kosovë. Gjithashtu, Instituti ATOMI do të përdorë garën e matematikës “Kangaroo” për të identifikuar talentet e rinj në fushën e matematikës në Kosovë, në mënyrë që të ofrojë aktivitete dhe shërbime të ndryshme përkrahëse për këto talente në funksion të zhvillimit dhe avancimit maksimal të talentit, njohurisë dhe kompetencës së tyre në fushën e matematikës. Të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në garën e matematikës “Kangaroo” në Kosovë (që do të mbahet në mars 2017) do të informohen me kohë nga Instituti ATOMI.
Instituti ATOMI e konsideron këtë një arritje të rëndësishme për Kosovën dhe mbetet me shpresë se do ta ketë bashkëpunimin dhe përkrahjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) dhe të gjitha shkollave të Kosovës për një organizim sa më të mirë dhe për pjesëmarrje sa më masive të nxënësve në garën e matematikës “Kangaroo”.






















