Për mos hapjen e këtij konkursi kanë reaguar edhe vet Specialistët e Psikologjisë Klinike, ku sipas tyre shumë institucione shëndetësore punojnë pa psikolog siç janë Qendra e Shëndetit Mendor ne Prishtinë, ne Prizren, ne Gjakovë dhe në Ferizaj e njëjtë edhe në shumë Klinika Spitalore brenda SHSUK, ku pacientët e këtyre klinikave kanë nevojë për shërbimet specialistike psikologjike dhe psikoterapeutike.
Ndërkohë për mos hapjen e konkursit për Specialistët e Psikologjisë Klinike në konkursin e fundit, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë një arsye, duke thënë se konkursi është hapur për ato institucione shëndetësore që ka pasur kërkesa konkrete.
“MSh ka shpallur konkursin për punësimin e specialistëve të papunë për ato profile për të cilat ka pasur kërkesa konkrete nga institucionet shëndetësore, bazuar edhe në analizën e nevojave të tyre më prioritare dhe afatmesme. Prioritet kanë pasur drejtimet ku ka pasur mungesë kuadri të profileve të ndryshme”, thuhet në përgjigjeje e ministrisë për lajmi.net.
Megjithatë, ministria e Shëndetësisë nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të hapet konkursi edhe për Specialistët e Psikologjisë Klinike.
“Nuk përjashtohet mundësia që në ndonjë konkurs tjetër të shpallen vende edhe për këtë profil, por kjo varet nga kërkesat që kanë vet institucionet”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Përfaqësuesi i Specialisteve të Psikologjisë Klinike, Imri Zabeli thotë se deklaratat e Ministrisë së Shëndetësisë janë kundërthënëse.
Ai ka thënë se profili i psikologut klinik brenda Klinikave të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, jo vetëm që është në mungesë por është pothuajse jo ekzistues.
“Ministria e Shëndetësisë, ka përmendur se në konkursin e fundit të hapur nga MSH, i kanë pasur prioritet profilet që kanë pasur mungesë kuadri, profili i psikologut klinik brenda Klinikave të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, jo vetëm që është në mungesë por është pothoujase jo ekzistues”, ka thënë Zabeli për lajmi.net.
Ai e thotë se është e çuditshme se si i njëjti institucion i cili e ka mundësuar shkollimin specialistik për Psikolog Klinik, të mos e sheh të nevojshme ofrimin e këtyre shërbimeve nëpër institucionet publike shëndetësore.
Ndryshe në Kosovë është një numër i madh i psikologëve të papunë. Përveç institucioneve shëndetësore që përballen me mungesë të psikologëve, e njëjta situatë është edhe në ato të arsimit.






















