Muzeu Historik Kombëtar çeli dje ekspozitën “Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Ekspozita përmban objekte, imazhe fotografike dhe filma (të projektuara në ekrane), të cilat pasqyrojnë momentet kryesore të luftës së popullit shqiptar kundër okupatorëve nazifashistë. Ajo është fokusuar kryesisht në koleksionet e flamujve të përdorur gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, objekte të dëshmorëve të rënë në luftë, objekte të shqiptarëve që vuajtën në kampet naziste të përqendrimit, si dhe objekte të banorëve të fshatit Borovë të Kolonjës, që u masakruan nga trupat naziste. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, nëndrejtori i muzeut, Dorian Koçi, historianë të njohur dhe dashamirës të artit dhe historisë shqiptare. Drejtori i Muzeut, Melsi Labi tha se: “Qëllimi pse kemi hapur këtë ekspozitë është për të përkujtuar 70-vjetorin e Çlirimit të atdheut nga pushtimi nazifashist dhe për të njohur publikun me kontributin që dhanë shqiptarët gjatë kësaj lufte.
Por, nga ana tjetër kjo ekspozitë nuk zbeh rëndësinë e ditës së sotme, që është 102-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe për këtë uroj të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë të interesuarit deri më 7 dhjetor 2014 “100 Vjet Vizatimi Shqiptar” në GKA Galeria Kombëtare e Arteve hap për publikun në sallën e ekspozitave të përkohshme, ekspozitën “100 vjet vizatimi shqiptar”. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen artefakte që dëshmojnë se historia e artit laik shqiptar ka hyrë në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XXI dhe ka tashmë një histori më shumë se 100-veçare. Ekspozita e kuruar nga: Suzana Varvarica Kuka dhe Artan Shabani prezanton për herë të parë 152 vepra të zgjedhura në koleksionin e madh të vizatimit të fondit të GKA-së.
Ato janë krijimtari e 46 artistëve. Atmosfera e saj, përpos shkaktimit të nostalgjisë për kohët dhe imazhet historike, i propozon publikut shqiptar dhe të huaj të prekë fillesat dhe përpjekjet kreative të artistëve, të njohë nivelin në rritje të vizatimit shqiptar dhe të dokumentojë gjurmët stilistikore, ku dominojnë ato realiste. Ekspozita “100 vjet vizatimi shqiptar” sjell pamjen e përzgjedhur mbi nxjerrjen në pah të temave dhe emrave të artistëve. Ajo kryeson me polifigurën intelektuale tradicionale të Kolë Idromenos, si artisti i parë në krijimtarinë e gjinisë së vizatimit shqiptar. Harku kohor në të cilën përhapet atmosfera e ekspozitës nis me skicë ide të Idromenos të viteve ’90, shek. XIX dhe mbyllet me vizatimin modern, ekspresivo-abstrakt të artistes Merita Selimi të viteve ’90, shek. XX. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datë 5 janar 2015.

















