Shumica e kompanive të mëdha nuk i respektojnë ligjet në fuqi. Andaj, lëndimet në vendin e punës, punimet jashtë orarit, dhe vdekjet në vendin e punës mbesin ende shqetësuese. Institucionet e vendit nuk po krijojnë mekanizma adekuat për inspektimet në terren, për të parë nëse ndërtuesit po i respektojnë rregullat në fuqi.
Auditori Gjeneral, së fundmi e ka publikuar një Raport me titull “Siguria në punë e punonjësve në sektorin e ndërtimtarisë”, i cili i adresohet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Në Raport është theksuar një krahasim në mes të Maqedonisë dhe Kosovës sa i për këtë Inspoektartëve në këtë lëmi, shkruan lajmi.net.
“Trupa Ekzekutive e Inspektoratit te Punës në Kosovë posedojnë 12 vetura për kryerjen e aktiviteteve operative, përderisa Inspektorati Shtetërorë i Punës së Maqedonisë ka në dispozicion 50 vetura për kryerjen e inspektimeve. ISHP në Maqedoni përgatit planet vjetore duke u bazuar në fushat më të rëndësishme dhe me rrezik më të lartë, të ndara sipas veprimtarive sezonale, planin kohor dhe numrin e inspektimeve, për dallim nga Kosova që nuk ka përgatitur një plan bazuar në fushat me prioritet më të lartë dhe të përcaktuar me afate kohore”, ka theksuar auditori.
TEIP në Kosovë nuk ka ueb-faqe zyrtare ku do të pasqyronte informatat relevante dhe me interes.
për akter të ndryshëm për fushat përkatës që i mbulon. Në anën tjetër, auditori ka vërejtur se ueb-faqja zyrtare e ISHPM, vazhdon të jetë çdoherë e azhurnuar me informata të ndryshme mbi numrin e inspektimeve të realizuara për ditë, javë, muaj, vite dhe shumë informata tjera. Gjithashtu edhe numri kontaktues pa pagesë është në dispozicion për të denoncuar parregullsitë dhe rastet e shkeljeve ligjore si nga punëdhënësit apo të punësuarit.
“ISHPM me rastin e punësimit të inspektorëve kanë të vendosur si kriter përgatitjen profesionale në fusha të caktuara. Përveç kësaj, duhet të jenë të licencuar në fushën e sigurisë në punë, që është i ndarë si sektor nga ai i marrëdhënies së punës dhe shëndetit. Inspektorët e njërës fushë nuk mund t’i kryejnë inspektimet e fushës tjetër sepse nuk konsiderohen si të specializuar. Ndërsa në TEIP i njëjti inspektor i kryen të tri lëmit: marrëdhëniet në punë, sigurinë në punë dhe atë të shëndetit”.
Sipas të dhënave të raportit, shihet se numri i inspektimeve në Maqedoni është dukshëm më i lartë krahasuar me atë të Kosovës. Në Maqedoni kryhen një numër i konsiderueshëm i inspektimeve ndaras në lëmin e sigurisë në punë, sektor ky i ndarë dhe ka të bëj vetëm me çështje sigurie. “Sa i përket inspektimeve të sigurisë në punë, Maqedonia në krahasim me Kosovën posedon inspektorët e specializuar për këtë fushë. Prej 99 inspektoreve, 36 janë të specializuar vetëm për fushën e sigurisë në punë dhe janë me përgatitje të ndryshme profesionale12. Ndërsa nga 50 inspektorë që ka TEIP në Kosovë13, vetëm 5 prej tyre janë inxhinierë dhe gjithë të tjerët janë me përgatitje të përgjithshme-jurist”, thuhet në raport.
Raporti evidenton se, numri i inspektorëve në Ministrinë e Punës të Kosovës është 50, ndërsa në Maqedoni 114. Gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë bërë 9505 inskenime, ndërsa në Maqedoni 49 mijë e 311 inspektime. Inspektime vetëm për shëndet dhe siguri, në Maqedoni në vitin e kaluar janë bërë mbi 17 mijë, në Kosovë asnjë. Inskenime vetëm në sektorin e ndërtimtarisë në Maqedoni janë bërë 470, në Kosovë asnjë.
Ndërkaq, ne vitin 2015 në Kosovë janë raportuar 8 persona të vdekur në ndërtimtari dhe është raportuar se janë lënduar 44, në vitin 2014, kanë vdekur 9 dhe janë lënduar 63, në vitin 2013 kanë vdekur 17 dhe janë lënduar 37, në vitin 2012 kanë vdekur 17 dhe janë lënduar 45.
Duhet theksuar, se në mungesë të informatave të plota dhe zyrtare, nuk përjashtohet mundësia se mund te ketë edhe raste më të shumta të vdekjeve apo lëndimeve që nuk janë lajmëruar fare në inspektoratin e punës.
Çdo punëdhënës është i obliguar për të ngritur standardin apo nivelin e sigurisë dhe shëndetit në punë për të punësuarit. Faktorët që përcaktojnë këtë janë: aspekti moral, ligjor dhe financiar.
Ndërkaq, një mori rekomandimesh i janë drejtuar Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale nga ana e Auditorit, kryesisht kanë të bëjnë me hartimin dhe harmonizimin e legjislacionit lidhur me këtë çështje, si dhe mbikëqyrjen e legjislacionit në fuqi.


























