Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ka vendosur të kallëzojë penalisht kryetarin e Bashkisë Peshkopi, Ilir Krosi. Akuza për të është “shpërdorim detyre”.
Po me të njëjtën akuzë kallëzohen penalisht nga IKMT edhe kryeinspektori aktual i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Peshkopi, Gafur Gazidede si dhe ish kryeinspektorët e këtij Inspektoriati, Halil Zhuka dhe Dilaver Drizi.
Janë të paktën shtatë raste, kur këta shtetas nuk kanë vepruar sipas parashikimeve ligjore në fuqi, për ndalimin e punimeve të kundërligjshme të kryera në territorin e Bashkisë së Peshkopisë, duke shkaktuar me mospërmbushjen e detyrimeve të tyre ligjore, dëmtimin e territorit.
Nga kryeinspektori dhe paraardhësit e tij të kallëzuar, nuk janë marrë masat përkatëse për parandalimin e këtyre punimeve të kundërligjshme, duke mos vazhduar procedurat ligjore dhe duke mos respektuar afatet për zbatimin e vendimeve të marra.
Ndërsa nga ana e kryetarit të Bashkisë, si Autoriteti i vetëm i Planifikimit në këtë Bashki, nuk është marrë asnjë masë konkrete ligjore për të parandaluar ndërtimet e kundërligjshme, për të kryer kontrollin e zhvillimit të territorit dhe për të kryer drejtimin e zhvillimit të territorit.
IKMT kërkon nga institucionet e drejtësisë edhe marrjen e masës së pezullimit nga detyra për kryetarin e Bashkisë Peshkopi dhe kryeinspektorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Peshkopi.















