Tetëqind deri në njëmijë kilogramë është sasia e mbetjeve medicinale që çdo ditë sterilizohen në impijantin e vetëm që ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Pos organeve trupore që largohen gjatë intervenimeve operative në spitalin më të madh në vend, në atë sterilizator përfundojnë edhe shiringa, gaza dhe pajisje tjera që përdoren gjatë mjekimit të pacientëve.
Një shkresë që ka siguruar rtklive.com e që i drejtohet grupit për prioritete dhe pajisje mjekësore të SHSKUK nga drejtori i shërbimeve teknike Mehdi Krasniqi kërkohet furnizimi me një pajisje për sterilizimin e mbetjeve medicinale.
“Furnizimi me sterilizator për trajtimin e mbetjeve medicinale është më shumë se domosdoshmëri për faktin se sterilizatori aktual është amortizuar në masë mjaft të madhe për shkak se ka tejkaluar mbi 12 mijë cikle të punës”, thuhet në shkresën që Krasniqi e procedon për nevojën imediate.
Brenda ditës, sipas po kësaj shkrese, sasia e mbetjeve medicinale e cila trajtohet në këtë impijant përmes këtij sterilizatori është përafërsisht 800 deri në 1000 kilogramë.
“Pra kjo sasi e mbetjeve e cila trajtohet aktualisht në QKUK është relativisht e madhe dhe në rast të një defekti (e që është i pritshëm) për shkak të amortizimit, do të krijohen stoqe të mëdha të mbetjeve medicinale të cilat do të jenë burim për infeksione spitalore e të cilat paraqesin rrezik të paparashikuar”, thuhet në shkresën e drejtuar nga ana e Krasniqit.
Ky i fundit, në një prononcim për rtklive.com, ka thënë se mbetjet medicinale ka kohë që nuk asgjësohen, por ato sterilizohen.
Pajisja që kanë aktualisht në impijant punon pa ndërprerë tash e 7 vite, andaj edhe është amortizuar shumë si rezultat i punës së vazhdueshme.
“Pas sterilizimit të mbetjeve medicinale ato shndërrohen në mbeturina të zakonshme dhe vëllimi i tyre zvogëlohet për trefish”, ka thënë Mehdi Krasniqi. Sipas tij, këto mbeturina, pas sterilizimit, hudhen në kontejnerët që shfrytëzohen si deponi mbeturinash.






















