Imami, të cilit gazeta nuk ia përmend emrin (redaksia e albinfo.ch e di se për kë është fjala) dyshohet se ka predikuar para të burgosurve nga disa broshura me përmbajtje të islamit radikal. Njëra nga këto broshura, është e ndaluar në Gjermani por jo edhe në Zvicër. Ajo përmban terma nga ligji islamik, sheriati, disa nga të cilat gazeta i citon në tekstin e saj. “Allahu kërkon që në rast vjedhjeje, hajni të dënohet me prerje të dorës. Ky dënim duhet ta frikësojë atë. Nëse vjedhësi e di se kur të ketë vjedhur do t`i pritet dora , ai do ta braktisë vjedhjen dhe kështu pasuria e njerëzve mbetet e paprekur. Allahu, i vetmi dhe i shumëlavdëruari Zot e ka dorëzuar sheriatin si ligjin më të lartë për gjithë botën, në mënyrë që të gjithë njerëzit t`i nënshtrohen atij”.
Autor i broshurës është salafisti nga Riadi (Arabia Saudite) Rahman Al Shea. Ai konsiderohet i lidhur me aksionin për shpërndarjen e Kuranit falas me motion “Lies” (lexo). Ky aksion ndërkohë është ndaluar në Gjermani ku e kishte zanafillën por në Zvicër, përkiundër kontestimeve të shumta, ende lejohet të veprojë.
I kontaktuar nga gazeta, imami shqiptar ka thënë se nuk e ka ditur përmbajtjen e broshurës por me ta kuptuar, (pasi ia ka tërhequr vërejtjen drejtoria e burgut) ai bashkë me drejtorinë, e ka flakur atë nga biblioteka e vogël e burgut që oshte në shërbim të tij dhe e ka asgjësuar.























