“Me qetësi dhe dashurinë” e nevojshme në një kohë të ethshme politike, Ilir Meta duket se e ka kamufluar të gjithë angazhimin e tij për një qeveri teknike me fjalinë: “Do të bëjmë cdo gjë për të përmbushur afatet për reformën”. E për të konfirmuar se ai ka një raport ende bashkëpunues me Lulzim Bashën minimalisht për Reformën në Drejtësi, e maksimalisht për shumë më shumë se kaq Meta rrëfen se: “Jam shumë dakord me z.Basha për faktin që duhet të jetë një proces parimore dhe një proces afatesh.
“Keni folur për një qeveri teknike”- i kujtuan gazetarët Ilir Metës ndërsa ai edhe njëherë sqaroi se: “unë kam folur për një qeveri teknike që mund të garantojë klimën e besimit për një reform në drejtësi. Kjo situatë është e kapërcyer. Qeveria teknike për të cilën flet z.Basha është një cështje tjetër. Angazhimi ynë për zgjedhje do të jetë maksimal. Jemi në momentin për tu përqendruar tek reforma në drejtësi”- ka përfunduar Meta komunikimin e tij me gazetarët ndërsa, dalja e tij publike erdhi si reagimi i tretë brenda pak orësh kur Basha e Rama kanë vringëllyer shpatat politike për herë të parë në publik, sa i takon skenarit të qeverisë teknike.






















