Në Prishtinë, një pjesë e madhe e fëmijëve që lypin në rrugë janë nga Shqipëria. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviç.
Siç raporton “Koha.net”, Radojeviç është pyetur në lidhje me këtë çështje nga deputetja Ganimete Musliu, anëtare e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së. Radojeviç, njëherësh koordinator nacional kundër trafikimit me qenie njerëzore, tha se ata kthehen nga Policia e Kosovës në shtetin e tyre të origjinës, por mbërrijnë sërish në Kosovë dhe se nuk është dëshmuar të ketë elemente të trafikimit.
Radojeviç tha se në muajin e ardhshëm do të takohet me homologun e tij nga Shqipëria për të gjetur një zgjidhje për këtë fenomen. Ai ishte i ftuar për të raportuar në komision rreth zbatimit të strategjisë kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, dhe sipas tij, numri i viktimave ka rënë.














