Por kreu i PDIU-së përdori një gjuhë më të drejtpërdrejtë kundërshtuese ndaj zyrtarit grek. “Ndiqja përroin psikik të Nikos dhe mu kujtua Enver Hoxha. Tigër prej letre ishte shoku Enver, tigër prej letre është dhe shoku Niko. Nikos Kotzias kërcënoi të gjithë shqiptarët jo vetëm disa syresh. I bëj thirrje qeverisë shqiptarë për ligjin e luftës t’i adresohet ministerialit të NATO-s. Ky absurditet duhet të marrë fund”, u shpreh Idrizi gjatë Këshillit Kombëtar të PDIU të mbledhur ditën e sotme.
“Greqia ia kalon në të gjitha drejtimet. Ka dhjetëfishin e GDP-së, sisteme të shumëfishta mbrojtjeje dhe sigurie, shumëfish forcë ekonomike. Ata janë të varur sa i përket ekonomisë, remitancave të emigrantëve, investimeve, tregtisë. Kemi edhe përfaqësim asimetrik në arenën ndërkombëtare. Ndaj është mirë që të bashkëpunojnë, të bëhen realistë dhe të ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve të përfitimit të përbashkët. Të zgjidhim çështjet e hapura bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe traditën europiane”, tha ditë më parë ministri Kotzias.























