Është përkujtuar në Kllogjer të Sarandës 71-vjetori i gjenocidit grek mbi popullsinë e Çamërisë, ku të pranishëm ishin kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deputeti çam, Tahir Muhedini, kryetari i shoqatës “Çamëria”, Adrian Tana, si dhe mjaft çamë të mbledhur nga i gjithë vendi. Pasi u vendosën kurorat me lule te varri monumental, pasi u panë e u lexuan edhe emrat e personave që kanë vdekur në këtë vend, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, theksoi se “këto varreza monumentale të Kllogjerit janë dëshmi okulare e asaj masakre që ka ndodhur me shqiptarët e Çamërisë”. Në një fjalim të tijin përpara çamëve të mbledhur për të përkujtuar këtë ditë, kreu i PDIU-së tha se nuk do të reshtë së kërkuari njohjen e këtij gjenocidi mbi shqiptarët e Çamërisë për të vënë edhe një herë në dukje të drejtat e tyre. “Është moment jo vetëm për t’i kujtuar këta dhe i paharrueshëm qoftë kujtimi i tyre, por edhe për të theksuar me forcë se ne shqiptarët e Çamërisë do të vazhdojmë betejën tonë në kuadër të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut mbi të cilën është ndërtuar bota e qytetëruar dhe demokratike për të kërkuar deri në fund me forcë dhe pa asnjë lloj kompromisi të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, njohjen e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë, fitimin e të gjitha të drejtave pronësore juridike të shqiptarëve të Çamërisë. Nuk do të rreshtim së kërkuari këto të drejta”, tha kreu i PDIU-së. Ndër të tjera, ai theksoi se do të kërkojë njëkohësisht edhe heqjen e ligjit të luftës me palën fqinje apo dhe zgjidhjen e një prej çështjeve më të rëndësishme, siç është ajo e çështjes së pronave. “Në radhë të parë ne do të kërkojmë heqjen e ligjit të luftës, e cila është tashmë edhe në tryezën e bisedimeve mes dy vendeve tona. Do të kërkojmë riaktivizimin e traktatit të miqësisë për çështjet pronësore dhe sigurisht në rast të ndonjë refuzimi të shtetit grek ne do t’u drejtohemi dhe gjithë gjykatave ndërkombëtare duke filluar që nga Gjykata e Strasburgut. Por e përsëris edhe njëherë me forcë, se ne nuk do të reshtim në një betejë ligjore juridike pa ekuivok deri në fitimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë”, tha Idrizi përpara çamëve në varrezat e Kllogjerit. Përtej kësaj deklarate, kreu i PDIU-së kujtoi edhe një herë atë çka ndodhi me çamët para 71 viteve. “Jemi këtu me rastin e 71-vjetorit të masakrës mbi shqiptarët e Çamërisë. Sigurisht që është një moment shumë i ndjeshëm dhe emocionues për të gjithë ne anëtarët e komunitetit çam. Në fakt, këto varreza monumentale të Kllogjerit janë dëshmi okulare e asaj masakre që ka ndodhur me shqiptarët e Çamërisë. Këta njerëz vdiqën të larguar në një eksod biblik, duke lënë pas rreth 20% të popullsisë të zhdukur, të vrarë e të masakruar. Ata u nisën drejt atdheut mëmë, ndaluan këtu në këtë vend dhe fatkeqësisht rreth 2900 prej tyre vdiqën të pamundur nga etja, uria dhe është edhe një herë tjetër një moment shumë i dhembshëm për të gjithë anëtarët e komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë. Unë jam shumë i lumtur që ne e mundësuam këtë varrezë, sigurisht që do të ketë një ceremoni shumë të madhe momenti i inaugurimit të kësaj varreze”, tha më tej Shpëtim Idrizi.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...














