Kështu, shprehet kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, gjatë një interviste dhënë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online.
“Në radhë të parë, pasi që ne kemi bërë një inspektim të thuktë nëpër të gjitha mediet në Kosovë, ata të nisen nga vet mediumi që të respektojë të drejtat e punëtorëve të vet dhe pastaj të ngrisin atë masën e reflektimit dhe pasqyrimit të gjendjes së të drejtave të punëtorëve. Nuk jemi ende të kënaqur me gjendjen e të drejtave të punëtorëve, posaçërisht në sektorin privat”, thotë ai.
Ndërkaq shoqëria civile, sipas tij, është ende e brishtë në këtë drejtim, por të cilët mund të japin një kontribut më të madh se sa që janë duke e bërë.
Ibrahimi kritikon Sindikatat dhe Odat Ekonomike në Kosovë, të cilat, sipas tij, nuk po bëjnë aq shumë që t’i vetëdijesohen punëdhënësit për t’i respektuar të drejtat e punëtorëve.
“Në mungesë të mekanizmave tjerë, si organizimi sindikal në sektorin privat, pastaj jo angazhimi i duhur edhe i organizatave të punëdhënëseve, qoftë e asaj të Odës Ekonomike të Kosovës, ose edhe e të gjitha odave të tjera, që ata nuk punojnë mjaftueshëm me anëtarët e vet për t’i vetëdijesuar për respektimin e të drejtave të punëtorëve”, deklaroi kryeinspektori.
Ai ka treguar se Inspektorati i Punës, gjatë tetë muajve ka arritur t’i evidentojë rreth 1 100 punëtorë pa kontrata të cilat i ka detyruar punëdhënësit që t’i legalizojë. Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe kanë lëshuar vetëm 94 gjoba për mos respektim të Ligjit të Punës nga ana e punëdhënësit.
Ibrahimi flet edhe për numrin e vogël të inspektorëve të cilët janë të pa mjaftueshëm që të mund të arrijnë t’i inspektojnë bizneset brenda viti.






















