Qendrat e kërkimit shkencor pranë universiteteve kanë dështuar. Puna kërkimore që bëhet nga studiuesit në institucionet e arsimit të lartë është larg parametrave të një studimi shkencor.
Pedagogët duhet të merren me mësim në auditorë, dhe studiuesit me kërkim shkencor. Kështu shprehen kryetari i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti, i cili thotë se po diskutohet që këto qendra t’i rikthehen Akademisë. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Medias dhe Arsimit për punën e Akademisë gjatë vitit që lamë pas.
“Reforma e viteve 2006- 2007 e shkëputjes së instituteve nga sistemi i Akademisë ka qenë pa rezultat, nuk e ka justifikuar veten dhe mendohet, në variantin e paraqitur të kthehet në linjën themelore struktura që ka qenë në vitin 2005- 2006. Domethënë Akademia e Shkencave të jetë me institute të dy seksioneve, seksioni të shkencave natyrore dhe atyre shoqërore. Kjo ndarje, kjo punë pedagogjike, shkencore na ka lënë pa punë të mirë shkencore, por punë të mirë pedagogjike”, tha Muzafer Korkuti, kryetar i Akademisë së Shkencave.
Reforma e vitit 2006-2007 bëri që Institutet e Shkencave Albanologjike të grumbulloheshin në Qendrën e Studimeve Albanologjike, ndërsa institucionet e shkencave teknike e natyrore u tjetërsuan dhe u përfshinë në Universitet. Numri i punonjësve u shkurtua në më shumë se 40%, ndërsa u vendos si kriter që akademikët mbi 75 vjeç duhej të dilnin në pension, dhe të shkëputeshin nga kërkimi shkencor.

















