I mbijetuari i masakrës së Reçakut, Agron Mehmeti, ka thënë , se ai nuk beson se Serbia do të kërkoj falje ndonjëherë për krimet që ka bërë në Kosovë.
Aq më pak sipas tij, një gjë e tillë nuk do të ndodh kur në qeverinë e Kosovës, ka ministra sikurse Aleksanër Jabllanoviq, i cili i quan familjarët e viktimave ‘egërsira’.
“Po ashtu vizita e djeshme e kryeministrit serb, Aleksandër Vuqiq në Kosovë, deklaratat e tij fashiste, ultranacionaliste, dëshmojnë se Serbia nuk ka ndryshuar qasjen që ka ndaj Kosovës”, ka thënë Mehmeti, duke shprehur po ashtu dëshpërimin e madh ndaj qeverisë së Kosovës, që po lejon që Serbia përkundër krimeve që ka bërë në Kosovë, sot 16 vjet pas, të vazhdojë të sillet në këtë mënyrë.
Mehmeti i cili në kohën e masakrës ishte një djalë i ri, sot është baba i dy fëmijëve, me të cilët është paraqitur në homazhe në varrezat e dëshmorëve në Reçak, para viktimave që masakrës, shumica bashkëqytetarë të tij.
Sot, bëhen 16 vjet nga masakra serbe në Reçak. Në atë ditë, më 15 janar 1999, nga forcat policore serbe u masakruan mbi 45 civilë shqiptarë.
















