Familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe të afërm përcollën për në banesën e fundit ish-Presidentin Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë.
I fundit që ka mbajtur fjalim ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë qeverisjes së të cilit Nishani shërbeu si ministër Drejtësie dhe ministër i Brendshëm.
Berisha e ka nisur fjalimin e fjalët “I dashur Bujar”, ndërsa e cilësoi largimin e Nishanit të parakohshëm të një njeriu që ngjiti me shpejtësi shkallët e karrierës duke qenë një drejtues i spikatur dhe i ndershëm. Berisha, mes lotësh tha se ndiheshin krenarë që kishin pasur pranë një njeri, bashkëshort, demokrat dhe President si ai.

“I dashur Bujar. Jemi këtu rreth teje të përcjellim me dhimbje të madhe në udhëtimin tënd të përjetshëm të parakohshëm që nis pasi ke ngjitur si rrallëkush shkallët e jetës dhe të detyrës. Megjithëse largohesh nga ne përgjithmonë, për sa kohë ne do jetojmë d mbetesh i gjallë me veprat, finsikërinë, përkushtimin, shërbimet e çmuara ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Me ne mbetet dhe do jetojë gjithmonë Bujar Nishani, njeriu i dashur, atdhetar, shërbëtor i përkushtuar i qytetarëve, demokrat i flakët dhe guximtar, burrështetas fisnik.
Sot këtu para teje ne jemi më të paktë në vete. Odeta ndihet sot më e paktë, më e trishtë se kurrë në jetën e saj për bashkëshortin fisnik që u largua para kohe.
Për Ersin, Fjonën sot është dita më e dhimbshme e jetës së tyre, por ata do jenë krenarë që patën fatin të kenë një baba si ti. Për Baba Faikun sot zija është më e rëndë se toka, por ai përsëri ndihet krenar se rriti një djalë si ti që i zbardhi faqen. Për të gjithë ne të tjerët që patëm mundësi të njohim e bashkëpunojmë, do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi dhe do kesh përgjithmonë mirënjohjen.
Dua të shpreh mirënjohje të thellë për familjen tënde dhe për ata që bën gjithçka që ti të mos niseshe në këtë rrugë. U prehtë në paqe miku im i dashur, i lehtë qoftë dheu i tokës sonë, lamtumirë!”, tha Berisha.























