Nazime Visha, e lindur në Zall Bastar më 3 mars 1994, e qëlloi me breshëri automatike Fiqiri Muçën, mesnatën e 13 gushtit të vitit 2013. E vrau babain e 5 fëmijëve 4 vjet pas lidhjes intime që kishte me të. Fiqiriu ishte njohur me të ngaqë kishte lidhje pune me babain e saj. Ai merrej me aktivitetin e prerjes dhe transportit të lëndës drusore nga pyet e Matit, ndërsa Beqir Visha, babai i Nazimes, ishte i punësuar prej tij.
Muça i kishte kërkuar njërën nga vajzat, Lutfijen, për vëllain e tij. Krushqia ishte lidhur në vitin 2008. Që prej asaj kohe, vajtjet e Firiqi Muçës në shtëpinë e Nazime Vishës ishin bërë më të shpeshta.
Në një nga ditët që kishte shkuar në shtëpinë e Beqir Vishës ai e kishte gjetur Nazimen vetëm dhe e kishte përdhunuar. Ajo ishte vetëm 14 vjeç.
Prej asaj kohe e ka detyruar të mbajë marrëdhënie me të. Në vitin 2012 Nazime Visha fejohet me një fqinj të sajin, që jetonte në Itali. Ishte një mënyrë për t’i shpëtuar edhe lidhjes me Fiqiri Muçën.
Por babai i 5 fëmijëve bëhet shkak për prishjen e fejesës. Nazime Visha ka treguar gjatë marrjes në pyetje se ai e kishte kërcënuar. Kishte komunikuar edhe me të fejuarin e saj. I kishte thënë se Nazimja nuk mund të fejohej me askënd tjetër.
Disa mesazhe të gjetura në telefonin e Nazime Vishës provojnë se edhe ajo ishte kundër fejesës. Më 5 janar të vitit 2012 ajo i shkruante Fiqiri Muçës se nuk do ta pranonte fejesën: “nuk kam për të pranu zemër, qafsha ty po mos më lërë rrugvet.. më kokën tonde do vdes, a më beso zemër”.

Foto: Nazime Visha dhe Fiqiri Muça
Më 23 maj të vitit 2012 Nazime Visha, që kishte qëndruar disa ditë në shtëpinë e të fejuarit, u zhduk pa lënë gjurmë.
Ajo ishte larguar me Fiqiri Muçën. Kishte qëndruar me të për 10 ditë në pyjet e Martaneshit. Prindërit e denoncuan largimin e saj në polici. Por vajza pranoi se kishte shkuar me dëshirë me Muçën, duke e shpëtuar atë nga arrestimi. Këto deklarata ajo i dha në policinë e Matit dhe në Komisariatin nr. 4 në Tiranë. Vetë Muça tha se ishte larguar për shkak se Nazimja, në atë kohë 18 vjeç, ishte shtatzënë dhe ai mund të martohej me të.
Pas kësaj ngjarje, marrëdhënia e tyre është komplikuar. Familja Visha vendos ta dërgojë vajzën tek gjyshja e saj, në Krrabë. Por Fiqiri Muça, nuk heq dorë.
Më 12 korrik ai kërkon shtetasit M. Bardhi, taksist i palicensuar, që ta dërgojë në Krrabë. Pasi taksia ndalon pranë Lapidarit, Muça zbret dhe i drejtohet shtëpisë së gjyshes së Nazimes.
Dy minuta më vonë dëgjohet një bershëri automatiku. Taksisti sheh Fiqiri Muçën duke vrapuar, i ndjekur nga një vajzë. Pas saj ishte një burrë tjetër dhe një grua.
Bashkë me taksistin ata e kanë pritur aty policinë. E kishte njoftuar vetë Nazime Visha nëpërmjet telefonit të saj. Ishte ora 00.43 e 13 gushtit.
Policia gjeti 29 gëzhoja automatiku në vendin e ngjarjes. Ajo kishte zbrazur ndaj burrit që e kishte përdhunuar prej moshës 14 –vjeçare plot një breshëri kallashnikovi. Nazime Visha u dënua me 10 vjet burg. Kreu 4 dënimin prej 4 vjetësh dhe sot u fal nga Presidenti i Republikës, me propozim të Ministrit të Drejtësisë. Prej sot ajo është sërish e lirë, por jeta e saj tashmë ka ndryshuar shumë edhe pse është vetëm 22 vjeç.















