Markeljan Cungu është 23 vjeçari i shpallur në kërkim nga Policia. Ndaj tij është ngritur akuza e vjedhje me pasojë plagosjen e Petrit dhe Afërdita Laze, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në zonën e Alliasit në Tiranë. Ai u identifikua nga Policia dhe tashmë është shpallur në kërkim, ndërsa bashkëpunëtoi i tij është arrestuar.
Historia e Cungut nis që në moshën 12 vjeç, kur përfundoi në spital i plagosur, ndërsa autori 50-vjeçar u vetëdorëzua në Polici. Kjo është ngjarja e parë me protagonist Cungun.
Markeljan Cungu, pavarësisht moshës së mitur rezulton të jetë hajduti që ka realizuar më shumë vjedhje të paktën në 15 vitet e fundit. Mbi 600 herë i shoqëruar në polici, ndërsa rastet për të cilat është akuzuar kanë qenë me mijëra, Markeljani ishte bërë “si i shtëpisë” nëpër komisariate, pasi shoqërohej pothuajse çdo javë që prej moshës 9 vjeçare.
Për kleptomanin që fitoi famë brenda një viti, pati edhe oferta nga grupe kriminale të vjedhjeve dhe grabitjeve në Greqi, Itali dhe Zvicër për t’ua blerë prindërve.
Ndonëse i identifikuar që në moshën 9 vjeç, për 3 vjet shteti nuk gjeti asnjë qendër të mirëfilltë ku të mund ta mbante, trajtonte me psikologë dhe riedukonte të miturin që vuante nga sëmundja e vjedhjes.



















