Gjovalin Lazri, invalid prej dhjetë vjetësh, jetonte në një shtëpi pa asnjë elektroshtëpiake brenda
Borxhet për faturat e energjisë elektrike kanë shkaktuar një tjetër viktimë në Lezhë, ku babai i katër fëmijëve, invalid prej dhjetë vjetësh, nuk e ka përballuar presionin për të paguar rreth 7 mijë dollarë për OSHEE-në, e cila, i kishte ndërprerë energjinë elektrike. Gjovalin Lazri, 53 vjeç, nga fshati Tale mësohet se ka helmuar veten, duke pirë fostoksinë, vetëm pak çaste pasi kishte rilidhur energjinë elektrike dhe është gjetur në gramat e fundit të jetës nga i biri dhe e shoqja.
Vetëvrasja në shtëpi
Familjarët kanë treguar se ai kishte rreth 7 milionë lekë (të vjetra) pa paguar, kështu që pak para se t’i jepte fund jetës ishte shprehur që nuk kishte me çfarë t’i paguante këto para. Në kushte tejet të vështira, ai e ka pasur të pamundur që të paguajë faturat e energjisë elektrike dhe familjarët thonë që kishte kohë që pretendonte se zgjidhje për gjendjen në të cilën ishte, për të ishte vetëvrasja.
Energjia elektrike ishte ndërprerë prej dy javësh në familjen Lazri, pavarësisht se brenda barakës, ku ata jetonin, konsumohej vetëm nga një llambë dhe një pompë uji, gjë që të bën të dyshosh sesi një familje mund të konsumojë kaq shumë energji, pa pasur elektroshtëpiake apo orendi të tjera. Por, ai ishte shprehur se energjia i duhet për të jetuar, megjithëse nuk do të pranonte të shkonte në burg. Kështu ka ndodhur edhe të hënën, rreth orës 19:00, pak para se ai t’i jepte fund jetës brenda shtëpisë modeste, ku ka ndërruar jetë brenda pak minutash. Në atë kohë, ai kishte rilidhur energjinë elektrike, duke u shprehur se do ta mbante sa të hanin bukë dhe të mbushnin ujë, por vetëm pak minuta më vonë, është gjetur nga i biri, duke dhënë shpirt, pasi kishte konsumuar fostoksinë. E shoqja, e lajmëruar nga djali, ka tentuar t’i japë ndihmën e parë, por brenda pak minutash, ai ka ndërruar jetë në krahët e saj.















