Drama “Hisja e Diellit” është një kronikë për jetën dhe përpjekjet legjendare të heroit tonë kombëtar Isa Boletini, i cili është lindur, rritur dhe kalitur në këtë mjedis.
Ai luftoi tërë jetën për lirinë dhe pavarësinë e popullit dhe vendit të vet. Ishte pjesëmarrës në shumë luftëra, pastaj edhe në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë.
U vra pabesisht para 99 vjetësh, pikërisht më 21 janar 1916. Megjithatë, autori nuk është fokusuar as në luftërat e heroit, as në pjesëmarrjen e tij në aktin sublim të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, por në tragjedinë e copëtimit të tokave shqiptare pas luftërave ballkanike, vendimeve të Konferencës së Londrës dhe rënies së Kosovës dhe viseve tjera nën robërinë serbe (1913).
Fazli Hajrizi, shkrimtar nga Mitrovica, duke folur rreth dramës së shfaqur, tha se tema bosht e dramës ishte shkuarja e Isa Boletinit në Londër, takimi me ministrin Eduard Grei, me zëvendësin e tij, Xhejmsin, Mis Merin, rojat.
“Hyrja e Isës me truprojën e tij në Pallat, dorëzimi i armës sipas protokollit, dialogu ndërmjet tij e Eduard Greit, zëvendësit Xhems e Mis Merit krijon një dramacitet qysh në ekspozicion. Përpjekja e tyre për ta nënçmuar e tallur, duke e marrë atë në fillim si një malok të pagdhendur e injorant, iu shkon huq. Heroi ynë, i cili ka shkuar për t’u ankuar kundër vendimeve të padrejta dhe për të artikuluar vullnetin e shqiptarëve të rënë nën robërinë serbe, shpreh respektin për mbretëreshën angleze, duke treguar se shqiptarët kanë pasur shumë më herët një mbretëreshë po kështu të nderuar emri i së cilës quhet Teutë. Isa Boletini shpreh indinjatën e tij ndaj politikës shtetërore angleze, mirëpo çmon dhe vlerëson popullin e Anglisë, sidomos miqtë më të mirë të shqiptarëve, poetin Xhorxh Gordon Bajron dhe Mis Edit Durhamin”, ka vlerësuar Hajrizi.
Shkrimtari Fadil Kraja ka shfrytëzuar burime relevante të historisë për të mësuar sa më shumë për biografinë e heroit Isa Boletini.
Ai e ka gjetur figurën ideale për dramën “Hisja e Diellit” dhe për ta realizuar në skenë ia lë në dorë regjisorit të talentuar e me përvojë Bruno Shllakut, i cili me kulturën e tij profesionale arrin të ofrojë një shfaqje të pëlqyeshme, e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e dashamirëve të teatrit.
Për ta bërë më të pëlqyeshëm subjektin e për të krijuar kënaqësi estetike tek shikuesit, regjisori Bruno Shllaku i avancon ngjarjet, sjell ide të reja, jehonën dhe aromën e kohës së shkuar, motivon moralin e tij patriotik, zgjeron episode, ku, dihet ka konflikte të besueshme.
Merita më e madhe e autorit dhe regjisorit është futja e figurës femër, për epikën dhe romantikën që përmbajnë ato. Këtu mund të veçojmë Lokën (Paskaulina Shllaku), Miss Merin (Njomëza Tmava), Nusen (Flutura Barani).
Shkrimtari Hajrizi konstaton se Bruno Shllaku në rolin e Isa Boletinit ishte zotërues i situatës.
“Në skenën, ku debaton me Eduard Grein e të tjerë, fjalori i tij është në harmoni me shkallën e tij kulturore. Kur flet për ‘princeshën e Shqipërisë’, Edit Durhamin, për mbretëreshën Teutë dhe Ilirinë, për disa fakte historike që i paskan në dorë serbët dhe me to i paskan bindur fuqitë e mëdha se ata e kanë të drejtën historike mbi Kosovën, si dhe për ndonjë detaj tjetër, ndoshta duket sikur autori me qëllim e ka rritur nivelin kulturor të tij. Isa Boletini arriti të ndezë adhurimin dhe simpatinë e sallës”, ka vlerësuar ai.
Shfaqja e dramës “Hisja e Diellit” të autorit Fadil Kraja, në regji të Bruno Shllakut, mbase ishte urimi më i mirë i mitrovicasve për Ditën e Flamurit. Artdashësit shijuan magjinë e teatrit, duke i besuar plotësisht veprës dhe aktorëve.



















