Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një shpërthimi në qytetin e Vlorës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 07:15 në rrugën transballkanike Vlorë-Skelë, pranë sheshit “Omonia” ku një automjet ‘Mitsubishi’ i bardhë në të cilin udhëtonin dy persona ka shpërthyer në flakë.
E gjithë skena e rëndë ka ndodhur ndërsa mjeti ka qenë në lëvizje. Shpërthimi ka qenë i fortë dhe si pasojë e tij ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasagjeri, që dyshohet se është një mashkull.
Ndërkohë forca e shpërthimit, duket se ka nxjerrë jashtë drejtuesen e mjetit, O.Gj 19-vjeç, e cila është marrë nga kalimtarë të rastit dhe është transportuar me urgjencë në gjendje të rëndë drejt spitalit të traumës në kryeqytet.
I plagosur nga ngjarja ka mbetur edhe një kalimtar i rastit, i cili është transportuar drejt spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore.
Në vendgjarje kanë mbërritur menjeherë forca të shumta policie të cilat kanë rrethuar dhe skenën e krimit. Paraprakisht dyshohet se mjeti është hedhur në erë përmes një shpërthimi të telekomanduar. Pasojat e shpërthimit të mjetit janë ndjerë në të gjithë zonën, ku ka pasur thyerje të xhamave në pallatet dhe dyqanet përreth.
Nga ana e policisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.















