Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës,Edmond Haxhinasto ka marr pjesë sot në takimin rajonal “Connect to Europe to Connect Europe (CECE): Upgrading railway as growth engine for SEE”. Ky takimi rajonal në nivel ekspertësh, po zhvillohet në Tiranë në kuadër të kryesimit që ka marrë Shqipëria në SEECP për periudhën Qershor 2014 – Qershor 2015.
Ministri Haxhinasto ka thënë në fillim të fjalës së tij se transporti hekurudhor është e ardhmja rajonale për zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Ai njohu pjesëmarrësit nga vendet e rajonit dhe nga institucionet ndërkombëtare të angazhuara në këtë sektor, me prioritetet e Shqipërisë që mbështeten në zhvillimin infrastrukturor dhe atë legjislativ për transportin hekurudhor.
Po ashtu, ai ka nënvizuar se po ndërrmeren hapa konkret në këtë kuadër, duke veçuar miratimin e Kodit të ri Hekurudhor në Shqipëri brenda 6 mujorit të parë të këtij viti, projektet e përmirësimit infrastrukturor të stacioneve hekurudhore, konkludimin e inventarizimit të hekurudhës shqipëtare dhe rikontruktimin e kompanisë hekurudhore bazuar në praktikat më të mira evropiane.
“Konkludimi i inventarizimit të hekurudhës ishte një proçes i domosdoshëm, për t’i konsideruar asetet e hekurudhës si vlerë për qarkullimin ekonomik. Rritja me 130% e volumit në hekurudhën shqiptare gjatë vitit të shkuar tregon qartë potencialin dhe të ardhmen e këtij transporti në vendin tonë”, ka thënë Haxhinasto.
Gjithashtu, Haxhinasto ka theksuar rëndësinë që ka në harmonizimin e sektorëve të transportit prioritarizimi i lidhjes së hekurudhës me portet dhe e ka konsideruar si të rëndësishme rilidhjen me Portin e Durrësit dhe objektiv të afërt lidhjen hekurudhore me Portet e Vlorës dhe Shëngjinit. Ministri Haxhinasto ka vlerësuar mbështetjen e BERZH për projektin aktual të linjës Durrës – Rinas – Tiranë dhe kërkoi intensifikim të mardhënieve me institucionet homologe në Maqedoni për lidhjen Durrës- Shkup dhe më gjerë për projektet që përfshihen në Korridorin e VIII-të, Shqipëri – Maqedoni – Bullgari. Në vijim të projekteve në këtë sektor u veçuan nga Ministri Haxhinasto dhe aplikimi për fonde për realizimin e studimit të fizibilitetit për linjën Shqipëri – Kosovë dhe përmirësimin e linjës aktuale me Malin e Zi.
më tutje, Haxhinasto ka kërkuar përfaqësuesve të vendeve anëtare të SEECP të angazhohen për intensifikimin e mardhënieve në koordinimin për zhvillimin rajonal, si dhe përshpejtimin për heqjen e barrierave fizike dhe standardizimin legjislativ dhe teknik të infrastrukturës.
“Nuk është herët për të hequr barrierat fizike edhe pse jemi të ndërgjegjshëm, që kjo ecën paralelisht me zhvillimin infrastrukturor, por mund të përshpejtojmë ritmet tona për heqjen e tyre dhe përmirësimin dhe standardizimin e legjislacionit , për të qenë gati në momentin e implementimit fizik të projekteve tona rajonale”, ka thënë ai.
Në vijim ai ka vlerësuar si potencial të çmuar partneritetin me sektorin privat dhe nënvizoi se angazhimi i biznesit për zhvillimin e shpejtë të projekteve në këtë sektor është domosdoshmëri.
Në fund të fjalës së tij, ministri Haxhinasto ka theksuar sërish kërkesën për angazhim dhe mirëkordinim mes vendeve duke falënderuar RCC, SEETO dhe të tjera organizimime ndërkombëtare, për promovimin e zhvillimit në transport dhe infrastrukturë në vendet e Evropës Juglindore dhe ju apeloi ekspertëve të jenë më kërkues ndaj politikëbërjes për ndërgjegjësimin e qeverive ndaj potencialit dhe të ardhmes që ka transporti hekurudhor.















