Nëse Isa Mustafa nuk do të jetë sërish kandidat për kryetar të LDK-së, atëherë ka gjasa që kësaj pozite t’ia mësyjë Lutfi Haziri. Ai në pjesën e dytë të intervistës për gazetën Tribuna ka thënë se po e vlerëson kandidaturën. Haziri ka folur për Mendim Rugovën dhe ka thënë se ai përfaqëson vetëm veten e tij. Haziri ka shpjeguar edhe për idenë dhe qëllimin e tij që LDK të jetë e afërt me PDK-në, ndonëse ka thënë se kjo e fundit është ShIK-u vetë. Haziri ka thënë se nuk po flirton me radikalizëm islamik dhe se po t’i jepet mundësia do të hynte në shkëmbim territoresh me Serbinë.
“E vetmja rrugë që i normalizon dhe i pajton shqiptarët dhe serbët në Ballkan, është zgjidhja e problemeve territoriale me Serbinë. Përfundimisht qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe pjesa më e madhe e Medvegjes, vargmalet e Karadakut, Gollakut në tërësi, Moravë e Preshevës, korridori ndërkombëtar që shkon në Selanik, hekurudha është ndarje natyralë në mes të Shqiptarëve dhe serbëve duhet me u nda. Ndërsa Leposaviqi me disa fshatra të Zubin Potokut, që nuk e prekin në asnjë mënyre Mitrovicën, Zveçanin dhe pjesët e Trepçës, jo pse ne duam, po kurrë s’kanë qenë territorialisht të organizuara ndryshe. Në situatën e parë që më jepet mundësia jo vetëm kryeministër, por ka do që të shkoj dhe punoj do të kërkoj që ky problem të zgjidhet, sepse problemi i kufijve duhet të zgjidhet. Serbia nuk e ka problem paguarjen e dëmeve të luftës. Të gjitha problemet tjera natyrshëm që kanë mu rregullu.” ka thanë Haziri gjate një interviste për gazetën Tribuna.
















