Duke folur për rastin e Ukë Rugovës, Astrit Haraqija ka thënë në “Rubikon” të KTV-së, se ky rast është politik. Ai ka thënë se sa ka qenë në pozitën e ministrit të Kulturës, edhe iu ka ndihmuar njerëzve për të marrë viza. Thotë se familjes Rugova po i bëhen lojëra politike.
————————————————————Haraqija ka thënë se i ka “suportuar për viza shumë njerëz, ashtu siç i ka suportuar edhe Ukë Rugova”.
Në këtë mënyrë, ka thënë Haraqija, nuk është bërë kontrabandë me njerëz e as viza false, pasi që siç ka thënë ai, ato viza janë nënshkruar nga ambasadori italian në Kosovë.
“E kam ditë prej ditës së parë që është një gjykim politik. Lojërat politike, fatkeqësisht po i bëhen familjes Rugova. Shumica prej nesh kemi suportuar për viza, edhe unë personalisht kam suportuar për viza. Ukë Rugova ka nënshkruar vizat për t’i suportuar njerëzit. Nuk mund të thuhet se është bërë trafikim me qenie njerëzore me viza që i ka nënshkruar ambasadori Giffoni”, ka thënë Haraqija.
Ai ka thënë se kjo është lojë politike dhe në të janë të involvuar njerëz nga të gjitha partitë politike.
“Pra, u kuptua që është një rast politik. U vërtetua edhe me këtë rastin e dytë, riarrestimi që u bë pas zgjedhjeve. Prej zgjedhjes së 2010’tës ka filluar fushata kundër Ukë Rugovës”, ka thënë ai.
Çështja e riarrestimit të Ukë Rugovës në Gjykatën Kushtetuese
Çështja e ri arrestimit të Ukë Rugovës do të shkojë në Supreme dhe në rast se as aty nuk ka zgjidhje, atëherë lënda do të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Këtë e kanë bërë të ditur avokatët e Rugovës në emisionin ‘Rubikon’ të KTV-së.
Duke e cilësuar vendimin si antikushtetues, mbrojtja e Ukë Rugovës tha se do të kërkojë interpretim të Kushtetutës.
“Është shkelje e Kushtetutës dhe të gjitha parimeve vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë avokati Tomë Gashi.
“Tash po e përgatis kërkesën për mbrojtje legale dhe ato pyetje do t’ia adresoj Supremes, nëse nuk ka zgjidhje atëherë ajo do të dërgohet në Kushtetuese”, ka thënë avokati Boshtjen Penko.
















